Dusan Vlahovic ishte njeriu i ndeshjes për Juventusin në fitoren minimale të arritur në transfertë, ndaj Cagliari-t. Serbi ishte ai që shënoi golin e vetëm të takimit, duke treguar se mbetet një nga më të mirët në rolin e tij në Itali, por pavarësisht kësaj, duket se e ardhmja e sulmuesit do të jetë larg klubit bardhezi. Mediat italiane raportojnë se që nga shtatori, nuk ka patur më bisedime zyrtare të nisur mes drejtuesve të Juventusit dhe përfaqësuesve të Vlahovic, në lidhje me rinovimin e bashkëpunimit mes tyre. Duke parë që diçka e tillë nuk po ndodh dhe që kontrata aktuale e 25-vjeçarit skadon në qershorin e 2026-ës, mundësitë janë të mëdha që ai të largohet në fund të sezonit. Një nga mediat që qëndron më pranë klubit torinez, ‘Tuttosport’, ka raportuar se në drejtim të sulmuesit ka patur kontakte nga Turqia, ku dy skuadrat që luftojnë aty për titullin kampion, Galatasaray dhe Fenerbahce, kanë shfaqur interesim për të nënshkruar me të, gati për të përmbushur edhe pretendimet financiare që mund të ketë lojtari. Por për momentin, një mundësi e tillë duket se është hedhur poshtë nga vetë Vlahovic, që synon të luajë në nivele më të larta.
Në shtator, drejtori Guintoli kontaktoi me agjentin e lojtarit, duke propozuar një rinovim të kontratës deri në qershorin e 2030-ës, por me një ulje të ndjeshme të pagës së serbit, nga 12 milionë euro në sezon që merr aktualisht, në 8-9 milionë. Ky propozim është hedhur poshtë nga agjenti i lojtarit, duke sjellë situatën aktuale. Nëse gjërat do të ndryshonin në lidhje me Juventusin, ai do të ishte i gatshëm të vazhdonte karrierën në Torino, por nëse diçka e tillë nuk ndodh, 25-vjeçari synon të mbetet në ‘Serie A’, ose të transferohet drejt ‘Premier League’-ës, ku mendon se mund të bënte mirë dhe njëkohësisht do të siguronte një kontratë në kushtet e tij. Autor i 14 golave në këtë sezon në të gjitha kompeticionet, Vlahovic pati një ofertë në janar nga Arabia Saudite, nga ku do të përfitonte rreth 20 milionë euro në sezon, por serbi dhe agjenti i tij e kthyen pas propozimin, duke vijuar për momentin rrugëtimin tek Juventusi.