Serie A, Juventus, Vlahovic refuzon kalimin në Turqi e Arabi; kërkon transferimin tek Milani

Sport

Sulmi i Juventusit për sezonin e ardhshëm vijon të mos ketë një identitet të qartë. Vlahovic nuk duket të jetë më në planet e bardhezinjve, por pa larguar fillimisht serbin gjatë kësaj merkatoje, klubi nuk mund të bëjë afrime të tjera në këtë repart. Ndërkohë që bisedimet me Paris SG vijojnë për të mbajtur në skuadër Kolo Muanin, torinezët po shqyrtojnë pistat e Osimhen, David dhe Gyokeres për të ardhmen. Ndërkohë për Vlahovic, dy oferta konkrete kanë ardhur nga Fenerbahce në Turqi dhe një prej skuadrave të Arabisë Saudite. Por nga ajo që është mësuar, nga burimet pranë Vlahovic, vetë sulmuesi i ka hedhur poshtë për momentin të dy këta skenarë. 25-vjeçari do të donte një kalim drejt Anglisë, por nga ‘Premier League’-a për momentin nuk ka asnjë ofertë për të. I ndodhur në këtë situatë, dëshira e Vlahovic është të bashkohet sërish me trajnerin Allegri, duke u transferuar tek Milani. Juventusi kërkon një shifër prej 20 milionë eurosh për kartonin e sulmuesit serb, por duke parë që atij i mbetet vetëm 1 vit kontratë me bardhezinjtë, pretendimet financiare mund të ulen. Por ajo se çfarë pengon realisht kalimin e Vlahovic në ‘San Siro’, është paga e sulmuesit. Ai fiton aktualisht 12 milionë euro në sezon, një shifër që tek Milani kurrësesi nuk mund t’ja premtojnë. Madje, kuqezinjtë do të ishin dakord vetëm me gjysmën e asaj që Vlahovic merr aktualisht tek Juventusi, por të dyja palët janë të prirura të bisedojnë për të gjetur një ‘gjuhë të përbashkët’. Megjithatë, afrimi i Vlahovic tek Milani për momentin mbetet thjesht një hipotezë, sepse deri më tani, nga kuqezinjtë nuk ka asnjë lëvizje konkrete, ndonëse Vlahovic, do të ishte i lumtur me një kalim tek kuqezinjtë.