Çështja e rinovimit të kontratës së Paulo Dybala-s është zgjatur prej muajsh, me tifozët që duket se i kanë humbur shpresat e firmës me argjentinasin. Megjithatë, klubi i Juventusit do të bëjë një përpjekje të fundit për të gjetur marrëveshjen me sulmuesin. Fillimisht, drejtuesit e bardhezinjve kanë vendosur një ‘tavan’ sa i përket pagave të lojtarëve, duke zbuluar se kuota prej 7 milionë eurosh në sezon, do të jetë maksimumi që do të ofrojë klubi. Pikërisht me këto shifra firmosi kontratën e tij me Juventus-in edhe Dusan Vlahovic, i cili gjeti rrugën e rrjetës me fanellën bardhezi vetëm 13 minuta nga debutimi i tij në Torino. Kështu, për Dybala-n, ky mund të jetë propozimi i fundit që do t’i bëhet nga klubi, ku nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes së disa bonuseve, duke parë rëndësinë e Dybala-s në projektin e trajnerit Massimiliano Allegri. Argjentinasi ka marrë një ultimatum për të dhënë një përgjigje përfundimtare rreth kësaj çështjeje brenda këtij muaji, pasi Agnelli e të tjerët duan të kenë kohën e mjaftueshme për të gjetur zëvendësuesin e ‘La Joya’-s, në rast se nuk ka një rinovim të kontratës. Aktualisht, ai që paguhet mbi këtë tavan të vendosur nga klubi, është mbrojtësi holandez Matthijs De Ligt. 22-vjeçari përfiton rreth 8 milionë euro në sezon, pa llogaritur këtu bonuset. Klubi mendon t’i propozojë De Ligt një rinovim të kontratës, ku paga fikse do të përgjysmohet, pra do të shkojë në rreth 4 milionë euro, por do të përfshihen shumë bonuse të thjeshta, që në fund të sezonit do të arrijë në kuotën prej 7 milionë eurosh, që do të jetë në një farë mënyrë ‘tavani’ i pagave tek Juventus-i. De Ligt dhe agjenti i tij Mino Raiola me gjasa as nuk do e marrin në konsideratë një gjë të tillë, duke parë edhe fjalët e mbrojtësit holandez se e mendon një aventurë të re. Barcelona prej kohësh shfaq interes për të, njësoj si edhe Chelsea. Pikërisht tek këta të fundit, Juventus-i mund të gjejë edhe zëvendësuesin e tij, pasi prej kohësh po ndiqet nga afër situatë e Antonio Rudiger. Gjermanit i skadon kontratë me ‘blutë’ e Londrës në fundin e këtij szoni, prandaj për të nuk mungojnë ofertat.