Serie A, Juventus refuzon ofertën e Chelsea për Yildiz

Sport

Kenan Yildiz do të jetë një nga pikat kryesore të projektit të Juventusit. Klubi bardhezi e ka bërë të qartë se 20-vjeçari nuk është në merkato, duke kthyer pas të gjitha interesimet e mundshme për kartonin e tij. Së fundmi, ishte Chelsea që po provonte të bindte drejtuesit e Juventusit për të lënë të lirë kartonin e Yildiz, duke paraqitur një ofertë shumë të mirë në dukje, prej 65 milionë eurosh. Por pavarësisht tundimit nga shifra e majme e propozuar nga londinezët, tek Juventusi kanë vendosur të blindojë pozitat e sulmuesit, duke e përjashtuar mundësinë e largimit të tij. Duke qenë se tek Juventusi nuk kanë patur as vullnetin për të dëgjuar ndonjë propozim tjetër nga Chelsea, këta të fundit ndryshuan objektiv, duke u përqëndruar tek holandezi i Leipzig, Xavi Simons.

Kështu, Yildiz i është bërë e qartë se mbetet një aset i rëndësishëm për Juventusin dhe pritshmëritë ndaj tij mbeten të larta. Lojtari turk ka një kontratë që e mban të lidhur me klubin torinez deri në qershorin e 2029-ës, nga ku 20-vjeçari përfiton rreth 1,5 milionë euro në sezon, pa llogaritur këtu bonuset. Duke parë ecurinë e Yildiz, Comolli dhe Chiellini kanë vendosur të shpërblejnë fantazistin, duke bërë gati një propozim, që sheh një rritje të ndjeshme të pagës së lojtarit. Mediat italiane konfirmojnë se kontrata e Yildiz do të zgjatet deri në vitin 2030 dhe lojtari do të përfitojë plot 4 milionë euro në sezon, duke llogaritur edhe bonuset. Kjo pagë, e vendos Yildiz mes lojtarëve më të paguar e të rëndësishëm të skuadrës dhe është një shenjë besimi e drejtuesve ndaj lojtarit, që mendohet të jetë një nga fytyrat e projektit.