Serie A, Juventus, problemet në sulm mund të shtyjnë drejt Schick gjatë janarit

Sport

Sikur të mos mjaftonin problemet e njohura të dëmtimeve, tek Juventusi duhet të bëjnë llogaritë edhe pa një prej atyre që është shfaqur i palodhur, madje pa munguar asnjë ndeshje deri më tani. Bëhet fjalë për sulmuesin kryesor të bardhezinjve, Dusan Vlahovic, i cili pësoi një dëmtim në grumbullimin e përfaqësuesen e Serbisë, duke komplikuar edhe më tej situatën për trajnerin e torinezëve, Thiago Motta. Me Milik, të cilin shumë e kanë harruar që është ende pjesë e bardhezinjve dhe me një Nico Gonzalez që ende nuk është gjendjen më të mirë fizike, drejtuesit e bardhezinjve po mendojnë seriozisht të ndërhyjnë në merkaton e janarit për të përforcuar skuadrën me një sulmues. Mediat italiane kanë raportuar së fundmi se një objektiv i arritshëm për merkaton e ardhshme do të ishte Patrik Schick. Sulmuesi çek është lidhur edhe më parë me një transferim tek Juventusi, por klubi torinez nuk bëri asnjëherë hapa konkretë për transferimin e tij. 28-vjeçari nuk është plotësisht i kënaqur tek Bayer Leverkusen, ku shihet si zgjedhje e dytë për trajnerin Xabi Alonso, që ia beson Boniface majën e sulmit. Ai ka një kontratë që supozohet ta mbajë në Gjermani deri në qershorin e 2027-ës, me Leverkusen që nuk ka ndërmend ta lëshojë Schick të largohet pa një ofertë prej të paktën 25 milionë eurosh. Tek Juventusi janë të bindur se mund të gjejnë një marrëveshje të pranueshme me klubin gjerman, nëse do të vendosin përfundimisht për afrimin e Schick. Për këtë të fundit, do të ishte një rikthim në Itali, pasi më herët ka luajtur në ‘Serie A’ me Sampdorian dhe Romën, ndërkohë që tek Juventusi, nuk përjashtojnë alternativat e tjera, që mund të vijnë edhe brenda kampionatit italian. Patrik Schick numëron 4 gola të shënuar dhe 1 asist në këtë sezon, me 14 ndeshje të luajtura në total. Në ‘Bundesligë’, ai ka luajtur vetëm 2 ndeshje si titullar, nga 8 në total, ndërkohë që në ‘Champions League’, është aktivizuar për vetëm 100 minuta në total, në 4 takime ku ka qenë i gatshëm për të luajtur.