Prej kohësh është bërë e qartë që e ardhmja e Dusan Vlahovic do të jetë larg Juventusit. Sulmuesi serb ka edhe një vit kontratë me bardhezinjtë, që kanë vendosur të vazhdojnë projektin pa të, duke qenë se nuk i ka respektuar pritshmëritë ndaj tij. Klubi torinez kërkon rreth 20 milionë euro për kartonin e Vlahovic, pasi pavarësisht faktit që i ka mbetur edhe një vit kontratë, vlerësohet si një sulmues me shumë potencial. Ofertat konkrete kanë ardhur nga Arabia Saudite dhe Turqia dhe drejtuesit e Juventusit thuhet se patën gjetur shpejt akordet në secilin rast. Mirëpo është vetë lojtari që ka bllokuar një lëvizje të tillë, duke u shprehur se preferon të mbetet në Europë e të luajë në nivelet më të larta. Përfaqësuesit e Vlahovic kanë punuar së fundmi për një transferim të mundshëm tek Milani, si një dëshirë e vetë lojtarit, por aktualisht, kuqezinjtë nuk kanë paraqitur asnjë ofertë konkrete, pasi për momentin janë përqëndruar në reparte të tjera sa i përket merkatos.
Ndërkohë për Juventusin, koha tani është bërë shumë e vyer. Pa ndërprerjen e bashkëpunimit me Vlahovic, bardhezinjtë nuk mund të bëjnë asnjë afrim tjetër në sulm, ku thuhet se kanë ‘prenotuar’ Jonathan David, për të firmosur si lojtar i lirë. Nga ana tjetër, paga e Vlahovic mbetet një peshë e rëndë për arkat e klubit. Serbi përfiton rreth 12 milionë euro në sezon si lojtar i Juventusit, ku 8 milionë vijnë në formën e pagës bazë, dhe 4 të tjera ndahen në dy këste prej bonusesh. Nga 1 korriku, Vlahovic përfiton edhe 2,5 milionë euro të tjera si bonus, ndërsa pjesa tjetër, që do të plotësonte 12 milionë eurot, do të vinte deri në fundin të vitit 2025. Problem akoma më i madh për drejtuesit e Juventusit është fakti se nga data 1 korrik, Vlahovic mund të nisë të bisedojë me skuadra të ndryshme për një transferim në të ardhmen me parametra zero, diçka që do të vendoste drejtuesit e bardhezinjve nën presion, që shohin t’u ketë dalë situata nga kontrolli.