Ndonëse janë pranë nënshkrimit me Angel Di Maria, tek Juventusi nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga Nicolo Zaniolo. Bardhezinjtë vijojnë të këmbëngulin tek transferimi i 22-vjeçarit, që ka një kontratë me Romën deri në qershorin e vitit 2024. Zaniolo mbetet një objektiv i rëndësishëm i merkatos së Juventusit, pasi shihet si një element i domosdoshëm për trajnerin Allegri, që kërkon ta shfrytëzojë si një ‘xhol’ në fushën e blertë. Por për të mbërritur tek Zaniolo do të duhet shumë punë. Roma nuk ka ndërmend të ulë pretendimet e veta, duke synuar rreth 45 milionë euro për kartonin e 22-vjeçarit.
Tek Juventusi nuk munden kurrësesi të shpenzojnë kaq shumë gjatë kësaj vere, edhe për shkak të problemeve financiare me bilancet e raportuara nga drejtuesit torinez. Për këtë arsye, siç mediat në vendin fqinjë raportojnë, bardhezinjtë po mendojnë të përdorin të njëjtën strategji si në rastin e Federico Chiesa-s. Fillimisht, për të ulur çmimin e kartonit të Zaniolos, drejtuesit e Juventusit mendojnë të përfshijnë në marrëveshje talente të vlerësuar në Itali si Fabio Miretti e Giacomo Vrioni, teksa nuk përjashtohen edhe emra të tjerë si Ëeston McKennie, Nicolo Rovella apo Moise Kean. Pjesën e mbetur të parave, bardhezinjtë kërkojnë t’i paguajnë me këste tek Roma, duke nisur nga viti i ardhshëm. Në këtë mënyrë, blerja e Zaniolos nuk do të përfshihej në bilancet e kësaj vere dhe kartoni i 22-vjeçarit do të vinte në formë huazimi, me detyrim blerjeje, kur do të fillojnë të bëhen aktive edhe pagesat me këste Juventusit. Për Zaniolon janë interesuar edhe skuadra të tjera, brenda apo jashtë Italisë, por deri më tani, Roma i ka rezistuar të gjitha propozimeve që kanë ardhur në adresë të anësorit të tyre.