Me Milinkovic-Savic të transferuar drejt Arabisë Saudite, Juventusi është i detyruar të zhvendosë diku tjetër vëmendjen sa i përket mesfushës. Ky po shndërrohet edhe në repartin më problematik për momentin, duke qenë se trajneri Allegri ka kërkuar patjetër përforcime, teksa Paul Pogba nuk bind dhe mund të largohet deri në fundin e verës. Emri i parë që është përfolur nga ana e mediave italiane është ai i Franck Kessie. Lojtari nuk duket se është në planet e Barcelonës, që po kërkon ta shesë drejt Arabsië, me shpresën për të arkëtuar sa më shumë fitime. Vetë lojtari ende nuk e ka vendosur të ardhmen dhe tek Juventusi po përpiqen të gjejnë një marrëveshje për huazimin e mesfushorit nga Bregu i Fildishtë. Po ashtu, pjesë e listës së objektivave të merkatos së bardhezinjve në mesfushë janë Teun Koopmeiners i Atalantës, Rodrigo De Paul i Atletico Madrid dhe talenti Diarra i Strasburg. Koopmeiners është profili i duhur për kërkesat e trajnerit Allegri, mirëpo transferimi i tij është i vështirë për shkak të kërkesave të larta të Atalantës për mesfushorin holandez. De Paul është po ashtu një nga ata që e njeh mjaft mirë futbollin italian, por njësoj si në rastin e Kessie, Juventus mund ta afrojë vetëm me formulën e huazimit, ku mund të përfshihet edhe e drejta e blerjes së kartonit të argjentinasit. Financat mbeten një problem i madh në merkaton e torinezëve, që fillimisht duhet të shesin emra të rëndësishëm, në mënyrë që të ketë mundësinë të veprojnë për afrimet. Deri më tani, lajmi i mirë për Allegri-n ka qenë rinovimi me Rabiot, por nëse nuk plotësohen të paktën kërkesat minimale në merkato, atëherë tekniku i bardhezinjve i ka paralajmëruar drejtuesit për të shpresuar në arritjen e objektivave madhorë në sezonin e ardhshëm.