Edhe pse verën e kaluar u konsiderua si një nga përforcimet më të rëndësishme për Juventusin, Nico Gonzalez nuk i ka respektuar pritshmëritë ndaj tij. Shpesh i lënë jashtë skuadre për shkak të dëmtimeve, anësori argjentinas e ka patur të vështirë të vendosë emrin e tij mes lojtarëve të formacionit bardhezi. Kjo dhe shumë faktorë të tjerë, po e shtyjnë klubin të nxjerrë në merkato lojtarin pas vetëm 1 viti, duke qenë se projekti i torinezëve ka marrë një tjetër drejtim. Mediat italiane konfirmojnë se tek Juventusi ka nisur përpjekjet për të gjetur një sistemim për 27-vjeçarin, për të cilin thuhet se ka patur interesim edhe nga Arabia Saudite. Megjithatë, në skenë tashmë ka dalë edhe Atalanta. Në rast se do të konfirmohet largimi i Lookman gjatë kësaj merkatoje verore, boshllëqet në sulmin e bergmaskëve do të zmadhoheshin edhe më shumë. Nico Gonzalez është një emër që klubit lombard i intereson, ndonëse jo në shifrat e pretenduara nga Juventusi. Në këtë rast, oferta e Al Ahli, që mund të shkojë deri në 30 milionë euro për kartonin dhe një pagë të parefuzueshme për lojtarin, mbetet ‘pista’ më e preferuar nga ana e drejtuesve të Juventusit. Por në këtë situatë, një rol të rëndësishëm mund të luajë edhe vetë lojtari, dëshira e të cilit mund të jetë të qëndrojë në Itali e të tranferohet tek Atalanta, që mund t’i premtojë një vend titullari në skuadër, që gjithësesi nuk mund të shkojë mbi 5 milionë eurot sa i përket pagës së lojtarit. Duke qenë se ka ende kohë deri në përfundim të merkatos, lojtari nuk ka ndërmend të nxitojë, por tashmë është e qartë se e ardhmja e tij nuk do të jetë tek Juventusi.
