Serie A, Juventus, Morata nuk e ka të garantuar qëndrimin, Bernardeschi do të largohet

Sport

Largimet e Giorgio Chiellini-t dhe Paulo Dybala-s nga Juventus-i nuk do të jetë të vetmet për bardhezinjtë në fundin e këtij sezoni. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, pranë largimit është edhe Federico Bernardeschi. Anësori 28-vjeçar nuk ka gjetur një marrëveshje me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratës dhe nëse gjërat do të vijojnë të ecin në të njëjtin drejtim edhe në ditët në vazhdim, atëherë lojtari do ta largohet gjatë verës me parametra zero.

Bernardeschi u bë pjesë e bardhezinjve në verën e 2017-ës dhe firmosi një kontratë 5-vjeçare, që skadon në 30 qershorin e këtij viti. Klubi thuhet se nuk e ka pranuar kërkesën e lojtarit për një rritje të konsiderueshme të pagës dhe gjasat janë që në sezonin e ardhshëm, 28-vjeçarin ta shohim të luajë me një fanellë tjetër.

Nuk e ka të sigurt qëndrimin tek Juventus-i as një nga lojtarët e preferuar të trajnerit Massimiliano Allegri. Alvaro Morata ka qenë shumë i rëndësishëm për skemat e teknikut livornez, por sulmuesi spanjoll mbetet në pronësi të Atletico Madrid. Në marrëveshjen fillestare mes klubeve për huazimin e Morata-s, u vendos një klauzolë blerjeje, në rast se Juventus-i do e bëjë diçka të tillë, për shifrën e 35 milionë eurove.

Por drejtuesit e klubit torinez thuhet se nuk kanë ndërmend ta paguajnë një shumë të tillë dhe për këtë gjë, kanë vënë në dijeni edhe agjentin e sulmuesit apo përfaqësuesit e Atletico Madrid. Dëshira e Juventus-it është që Morata të vijojë të jetë pjesë e skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm, por blerja përfundimtare e tij do të vijë vetëm nëse klubi spanjoll do të pranojë të ule pretendimet për kartonin e tij. Gjatë këtij sezoni, Morata ka zhvilluar 48 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke llogaritur 12 gola e 9 asiste.