Serie A, Juventus monitoron Molinan; Sancho mbetet prioritet për sulmin

Sport

Juventusi vijon punën intensive për përforcimin e skuadrës, duke i siguruar trajnerit Igor Tudor ndryshimet e kërkuara në organikën e ekipit për sezonin e ri. Alberto Costa do të jetë pjesë e Porto-s nga sezoni i ardhshëm, pasi Juventusi arriti një marrëveshje me klubin portugez për të shkëmbyer anësorin me Joao Mario-n. Ky i fundit, është parë prej kohësh si një profil i përshtatshëm për Juventusin e Tudor. Porto merr kështu një 21-vjeçar mjaft premtues për të ardhmen, ndërkohë që torinezët sigurojnë më shumë eksperiencë nga 25-vjeçari, i cili është formuar në akademinë e Portos dhe largohet për herë të parë nga Portugalia. Por përforcimet në prapavijë nuk do të ndalen këtu. Në skenë tani ka dalë emri i Nahuel Molina. Lojtari i Atletico Madrid e njeh mjaft mirë ‘Serie A’, pasi vite më parë ka qenë pjesë e Udinese-s. Përshtatja e tij me kampionatin nuk duket të jetë një problem dhe kartakteristikat e ofruara nga argjentinasi janë ato që kërkon edhe trajneri Tudor. Kartoni i tij vlerësohet në më shumë se 20 milionë euro, por që mbetet një çmim i negociueshëm. Pikërisht për këtë shifër, Atletico e pati transferuar nga Udinese në verën e 2022-shit, me lojtarin që ka bërë vazhdimisht paraqitje të mira për fanellën e madrilenëve. Duke qenë se Atletico sapo ka konfirmuar transferimin e talentit Marc Pubill nga Almeria, hapësirat për Molina-n do të jenë të vogla. ‘Los colchoneros’ do të provojnë të gjejnë një sistemin për 27-vjeçarin dhe Juventusi është gati të përfitojë.

Ndërsa sa i përket sulmit, Jadon Sancho vijon të jetë në plan të parë. Por për momentin nuk ka asgjë konkrete sa i përket afrimit të anësorit anglez, për shkak se bardhezinjtë duhen të largojnë disa lojtarë, jo vetëm për të krijuar hapësirat në ekip, por edhe për të siguruar financat e nevojshme. Weah dhe Mbangula janë emrat që priten të sakrifikohen, por për momentin, asnjë skuadër e interesuar për shërbimet e tyre nuk ka bërë një lëvizje konkrete në drejtim të klubit torinez.