Juventus do të ushtrojë të drejtën e blerjes së kartonit të Arkadiusz Milik nga skuadra e Marseille, pasi sulmuesi polak shihet si një element i vlefshëm për sezonin e ardhshëm. Edhe pse 29-vjeçari ka patur disa probleme me dëmtimet gjatë 2022/2023-shit, tek Juventusi janë të bindur për aftësitë e tij e për këtë arsye, do të paguajnë 7 milionë euro tek klubi francez, siç ishte parashikuar edhe në momentin e kalimit të lojtarit në huazim drejt torinezëve. Mediat italiane raportojnë se drejtuesit e Juventusit janë përpjekur të zgjasin më tej huazimin e lojtarit, por tek Marseille nuk ka qenë dakord, duke mbajtur në fuqi marrëveshjen fillestare. Milik ishte autor i 9 golave për Juventusin në 32 ndeshje të zhvilluara mes ‘Serie A’ dhe ‘Champions League’-ës, duke fituar edhe besimin e trajnerit Allegri për sezonin tjetër.
Ndërkohë sulmuesi kryesor i bardhezinjve, Dusan Vlahovic, ende nuk e ka të garantuar të ardhmen e tij. Shumë klube të mëdha europiane kanë shfaqur interes për të firmosur me 23-vjeçarin serb. Autor i 14 golave dhe 4 asistimeve në sezonin që po lëmë pas, kartoni i Vlahovic vlerësohet në jo më pak se 80 milionë euro, shifër që nuk është e papërballueshme për klubet e mëdha jashtë Italisë. Bayern Munich vazhon të ketë bisedime me drejtuesit e Juventusit rreth një transferimi të mundshëm të Vlahovic dhe për të bërë realitet një lëvizje të tillë, mendohet edhe përfshirja në marrëveshje e Benjamin Pavard. Mbrojtësit francez i skadon kontrata në qershorin e 2024-ës dhe tek Bayern kërkojnë ta shfrytëzojnë për të ulur çmimin e Vlahovic. Tek Juventusi nuk e përjashtojnë realizimin e një lëvizjeje të tillë, mirëpo problem mbetet paga e Pavard. Francezi pretendon mbi 5 milionë euro në sezon dhe tek Juventusi nuk mund të pranojnë një gjë të tillë, në një moment kur klubi po mendon t’i limitojë shpenzimet.