Serie A, Juventus mendon që tani për merkaton; mes dëshirave është edhe Kroos

Sport

Juventus ka komplikuar shanset për të luftuar deri në fund për titullin kampion ndaj Interit, teksa pas humbjes me zikaltërit, morën edhe një zhgënjim tjetër në shtëpi, ndaj Udineses. Megjithatë, për bardhezinjtë objektivi kryesor në nisjen e sezonit ishte rikthimi në ‘Champions League’ për vitin e ardhshëm futbollistik, diçka që duket mëse e realizueshme duke parë situatën e torinezëve deri më tani. Kjo ka bërë që drejtuesit e klubit të nisin që tani punën sa i përket përforcimeve të merkatos së verës, për të qenë gati edhe për kompeticionin më të rëndësishëm të klubeve europiane. Sipas asaj që zbulojnë mediat italiane, prej kohësh tek Juventusi thuhet të kenë gjetur një marrëveshje verbale me Felipe Anderson, për afrimin e tij gjatë verës. Mirëpo, tek Lazio nuk është vetëm braziliani që ka tërhequr vëmendje. Edhe Mattia Zaccagni shihet si një përforcim i rëndësishëm për verën, ndonëse tek klubi kryeqytetas konsiderohet i rëndësishëm. Lojtarit i skadon kontrata me Lazion në verën e 2025, çfarë do të thotë se në sezonin e ardhshëm, do të jetë në skadencë të asaj marrëveshjeje. Juventus kërkon të përfitojë nga fakti që Zaccagni nuk ka rinovuar, për ta transferuar me një shifër të leverdisshme drejt Torinos. Sa i përket mesfushës, Adrien Rabiot është në përfundim të kontratës së tij dhe deri më tani nuk ka ‘dritë’ për një rinovim. Por edhe nëse francezi vendos të qëndrojë, tek Juventusi do të shtyjnë për afrimin e një mesfushori të rëndësishëm. Operacioni i më realizueshëm mbetet tranferimi i Jorginho, ndonëse mediat italiane kanë zbuluar se ‘ëndrra’ e madhe e drejtuesve të Juventusit është Toni Kroos. Gjermani e ka pranuar se po i shqyrton mundësinë që vijnë jashtë Real Madridit, por ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij. Tek Juventus janë gati të bëjnë një sforco financiare për pagën e mesfushorit, vetëm për ta bindur Kroos të vishet bardhezi.