Serie A, Juventus mendon për Belotti; mund të vij me parametra zero si zëvendësuesi i Vlahovic

Sport

Juventus duket shumë pranë transferimit të Gleison Bremer nga Torino, si njeriu që do të marrë vendin e Matthijs De Ligt në qendër të mbrojtjes. Mirëpo bardhezinjtë vijojnë punën edhe për përforcimin në sulm. Mes spekulimeve se mund të firmosin sërish me Alvaro Morata-n, në skenë tani del edhe emri i një tjetër lojtari të Torinos, ose më saktë një ish-lojtar i tyre, pasi tashmë i ka skaduar kontrata. Bëhet fjalë për Andrea Belotti-n, i cili për momentin është pa skuadër dhe shihet si një investim i mirë për Juventusin, që do ta afronte pa kosto të larta. Belotti mendohet si profili i duhur për të bërë zëvendësuesin e Dusan Vlahovic, duke parë që sezoni është shumë i gjatë dhe kalendari mjaft i ngjeshur.

Ai që ka futur në lojë emrin e Belotti-t është vetë trajneri i bardhezinjve, Massimiliano Allegri. Tekniku livornez është një mbështetës i madh i sulmuesit të kombëtares italiane dhe beson se aftësitë e tij mund të jenë një ndihmë e madhe për ekipin në sezonin e ri. Nëse drejtuesit e Juventusit do të vendosin të ecin përpara në bisedimet për 28-vjeçarin, atëherë arritja e një marrëveshjeje nuk duket të jetë e vështirë. Kjo, sepse Belotti e dëshiron shumë lëvizjen tek një skuadër e madhe, ku do të ketë mundësinë të luajë edhe në ‘Champions League’, prandaj është i gatshëm të ulë edhe pretendimet e tij financiare, vetëm që të bëhet pjesë e një projekti të rëndësishëm. Andrea Belotti luajti në radhët e Torinos për 7 vite. Ai u transferua tek klubi ‘granata’ në verën e 2015-ës, për 8,5 milionë euro nga skuadra e Palermos. Gjatë sezonit të shkuar, ai vuajti minutazhin si titullar tek Torino, pikërisht për shkak të refuzimit për të rinovuar kontratën, por kjo nuk e ndaloi të gjente në 8 raste rrugën e rrjetës.