Serie A, Juventus mendon për afrimin e Alejandro Grimaldo nga Benfica

Sport

Me Alex Sandro dhe Mattia De Sciglio që përfliten se do të largohen, tek Juventusi vijojnë punën intensive për të gjetur një zëvendësues të denjë. Pavarësisht problemeve jashtë fushe, drejtuesit e rinj të bardhezinjve do të vazhdojnë të bëjnë detyrën e tyre dhe me gjasa do të tentojnë që në janar për afrimin e një prej objektivave të merkatos. Bëhet fjalë për anësorin e Benfikës, Alejandro Grimaldo, i cili shihet si profili i duhur për të marrë ‘çelësat’ e krahut të majtë tek ekipi torinez. 27-vjeçarit i skadon kontrata me Benfikën në fundin e këtij sezoni dhe tek Juventusi po përpiqen të gjejnë një marrëveshje paraprake me të. Por duke parë konkurencën që po hasin, pasi disa klube angleze e spanjolle po ashtu janë vënën në ndjekje të shërbimeve të anësorit, tek Juventusi po mendojnë të bëjnë një ofertë që në janar. Sigurisht që propozimi do të jetë në shifra të ulëta, duke qenë se Grimaldos i mbeten vetëm 6 muaj kontratë. Bardhezinjtë e kanë të vështirë t’i garantojnë lojtarit të njëjta shifra sa i përket pagës, që Grimaldo mund të marrë nga klubet angleze, por në radhët e torinezëve i garantohet një vend në formacionin titullar, e për më tepër, aventura në ‘Champions League’. Gjithësesi, drejtuesit po shqyrtojnë edhe mundësi të tjera sa i përket krahut të majtë, me Grimaldon që mbetet objektiv kryesor.