Pavarësisht sezonit zhgënjyes, Juventus-i do të vijojë punën me trajnerin Allegri edhe në sezonin e ardhshëm. Tekniku livornez ka një kontratë afatgjatë me klubin bardhezi dhe drejtuesit kanë shfaqur besim tek 54-vjeçari. Largimi i Dybala-s në verë do të krijojë jo pak problemet për skemat e Allegri-t, që e ka mbështetur shpesh lojën tek aftësitë teknike të 28-vjeçarit.
Gjithësesi, drejtuesit e Juventus-it nuk kanë ndërmend të bëjnë shpenzime të mëdha në merkaton e ardhshme veroere. Të paktën këtë raportojnë mediat italiane, që kanë zbuluar një emër surprizë në listën e dëshirave të bardhezinjve. Duke marrë shkas nga ajo që ndodhi në finalen e ‘Kupës së Italisë’, ku protagonisti i Inter-it, Ivan Perisic dha sinjale largimi, drejtuesit e Juventus-it po e mendojnë seriozisht të lëvizin në drejtim të kroatit. Perisic ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të këtij sezoni për Inter-in, duke dhënë garanci ndeshje pas ndeshje në krahun e majtë.
Por vonesat në bisedimet për rinovimin e kontratës kanë bërë që Perisic të mendojë tashmë largimin dhe një zhvendosje drejt Juventus-it do të pranohej me kënaqësi nga anësori 33-vjeçar. Duke qenë se do të vinte me parametra zero, klubi torinez do ta kishte të lehtë të gjente një marrëveshje, pasi nuk ka kosto transferimi. Në këtë mënyrë, do të afrohej një lojtar që ka shkëlqyer në këtë sezon të ‘Serie A’ si Perisic, por do të kishin mundësinë që të shpenzonin para për një objektiv tjetër të madh. Edhe pse mediat italiane thonë se tek Juventus-i nuk do të ketë një revolucion në merkaton e verës, bardhezinjtë vazhdojnë të këmbëngulin për yllin e Lazio-s, Sergej Milinkovic-Savic. Për momentin, arritja tek mesfushori serb mbetet një mision i vështirë, për shkak të pretendimeve të larta të presidentit lacial, Claudio Lotito.