Serie A, Juventus kërkon Koulibaly për vendin e Chiellini; senegalezi u thotë ‘jo’

Sport

Largimi i kapitenit Giorgio Chiellini ka lënë një hapësirë jo të lehtë për t’u mbushur tek mbrojtja e Juventusit. Massimiliano Allegri kërkon një përforcim të rëndësishëm në repartin e prapavijës, edhe pse në dispozicion ka emra si De Ligt, Bonucci apo Rugani. Ai që po përflitet se një nga dëshirat e mëdha të bardhezinjve në këtë aspekt, është Kalidou Koulibaly.

Qendërmbrojtësi i Napolit ka bërë një sezon të mirë në aspektin personal dhe një transferim i tij në Torino do të mirëpritej nga i gjithë kampi bardhezi. Tek Napoli kërkojnë shumë për kartonin e tij. Në fakt, edhe pse tashmë Koulibaly i mbetet vetëm 1 vit kontrata me të kaltërit, De Laurentiis nuk ka ndërmend të heqë dorë prej tij për më pak se 35 milionë euro. Drejtuesit e Juventusit e shohin si të tepruar këtë kërkesë, por gjithësesi janë optimistë se mund të gjejnë një marrëveshje me numrin 1 të napoletanëve.

Megjithatë, realizimi i këtij operacioni nuk duket i lehtë. Kjo, edhe për faktin se vetë Koulibaly i ka thënë ‘jo’ një lëvizjeje të tillë. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, 30-vjeçari nuk kërkon të nxitojë me vendosjen e të ardhmes së tij, sidomos kur për të kanë shfaqur interes edhe skuadra si Barcelona apo PSG. Të shumtë janë ata që mendojnë se Koulibaly mund të qëndrojë tek Napoli edhe për 1 sezon tjetër, e më pas të largohet me parametra zero drejt një skuadre të rëndësishme, ku do të kishte mundësinë të përfitonte edhe ndonjë komision bonus për firmën, diçka e kthyer në modë së fundmi. Juventusi nga ana tjetër do të provojë të bindë Napolin dhe agjentin e lojtarit rreth një transferimi në Torino, por për momentin, kjo tratativë ende nuk ka hedhur hapat e para.