Serie A, Juventus kërkon 35 mln euro për McKennie; gjejnë zëvendësuesin tek Atalanta

Sport

E ardhmja e Weston McKennie duket se do të jetë larg Juventusit. Mesfushori amerikan është gjithnjë e më pranë largimit, pasi ka arritur një akord personal me skuadrën e Leeds. Klubi anglez është prej kohësh në ndjekje të McKennie dhe ka bërë një ofërtë zyrtare tek Juventusi për kartonin e tij, që kap shifrën e 28 milionë eurove. Mirëpo bardhezinjtë nuk janë të kënaqur me këtë propozim, duke ua bërë të qartë anglezëve se për McKennie, kërkojnë të paktën 35 milionë euro. Për Leeds, kjo shifër nuk është e papërballueshme, por do të provojnë të ofrojnë diçka Juventusin me anë të bonuseve. Ndërkohë nga ana tjetër, McKennie është gati për t’u zhvendosur në ‘Premier League’, pasi në aspektin personal, është gati të firmosë.

Njëkohësisht, drejtuesit e Juventusit po punojnë për të gjetur zëvendësuesin e duhur për mesfushën e trajnerin Massimiliano Allegri. Vendin e lënë bosh, në rast se largimi i McKennie do të konkretizohet, mund ta marrë Joakim Maelhe i Atalantës. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, bardhezinjtë kërkojnë një lojtar krahu dhe jo më një mesfushor qendre, duke qenë se Allegri është i kënaqur me emrat që ka aktualisht në dispozicion. Maelhe nga ana tjetër mund të luajë si në krahun e majtë, edhe në të djathtin, duke i dhënë një alternative të rëndësishme dhe shumë kilometra të përshkruara ekipit torinez. Vlera e kartonit të 25-vjeçarit danez vlerësohet rreth 15 milionë euro, por Atalanta do të kërkojë të përfitojë sa më shumë në rast largimi të tij, duke marrë në konsideratë faktin që Maelhe, ka një kontratë me bergamaskët deri në qershorin e 2025-ës.