Serie A, Juventus gjen marrrëveshjen për Milik; edhe Paredes drejt ‘Zonjës së Vjetër’

Sport

Arkadiusz Milik do të jetë zëvendësuesi i Dusan Vlahovic tek Juventus. Klubi bardhezi ka gjetur akordin për transferimin e sulmuesit polak, që do të ndihmojë trajnerin Allegri sa i përket rotacioneve në formacionin e skuadrës. Duke marrë parasysh kalendarin e ngjeshur, lojtarët do të kenë shpesh nevojë për ndonjë ndeshje pushim dhe me Milik në organikën e ekipit, edhe Vlahovic mund të marrë pak frymë. Polaku do të vijë nga Marseja në formë huazimi, që do të paguhet 1 milionë euro nga ana e Juventusit, ndërkohë që për transferimin e plotë të lojtarit, në fund të sezonit të ri do të nevojiten edhe 7 milionë euro të tjera. 28-vjeçari luajti 37 ndeshje në sezonin e shkuar për Marsejën, duke gjetur rrugën e rrjetës në 20 raste. Për Milik është bërë gati një kontratë deri në qershorin e 2026-ës, nga ku do të përfitojë rreth 3,5 milionë euro në sezon, pa llogaritur këtu bonuset. Juventusi vendosi të mbyllte marrëveshjen për Milik, duke parë vështirësitë që hasën në tratativat për Memphis Depay të Barcelonës. Për më tepër, sulmuesi polak e njeh mjaft mirë kampionatin italian, pasi më herët ka qenë pjesë e Napolit. Gjithashtu Juventusi kursen jo pak para me këtë lëvizje, duke u përqëndruar tashmë tek afrimi i Leandro Paredes në mesfushë. Prej kohësh flitet për një kalim të argjentinasit tek ‘Zonja e Vjetër’, që thuhet se kanë gjetur një akord paraprak me PSG për tranferimin e lojtarit. Paredes mund të vijë në formë huazimi me të drejtë blerjeje, që kthehet në detyrim nëse plotësohen disa kushte që do të parashikohen në kontratë. Ende nuk ka një marrëveshje të plotë me agjentin e lojtarit, i cili përfiton rreth 8 milionë euro në sezon tek klubi kampion i Francës. Një shifër të tillë, Juventusi nuk mund t’ja paguajë kurrësesi, prandaj palët po bisedojnë rreth gjetjes së një ‘të mesme të artë’.