Serie A, Juventus gati të sakrifikojë Mbangula dhe Weah për të afruar Jadon Sancho

Sport

Jadon Sancho është objektivi i radhës i rëndësishëm për merkaton e Juventusit. Bardhezinjtë thuhen se kanë filluar tratativat për afrimin e anësorin anglez, që pëlqehet si nga ana e drejtuesve të klubit, edhe nga trajneri Igor Tudor. Mirëpo transferimi i mundshëm i tij mund të ndodhë vetëm duke krijuar hapësirat e nevojshme në skuadër, çfarë do të sillnin edhe financat për këtë operacion. Samuel Mbangula dhe Timothy Weah thuhet se janë emrat që do të sakrifikohen nga ana e Juventusit, që kishte gjetur ditë më parë një akord me Nottingham Forest për transferimin e lojtarëve, por që nuk u konkretizua për shkak të refuzimit nga ana e amerikanit Weah.

Në skenë për të tani ka dalë Marseja e trajnerit De Zerbi, që është gati të invetstojë 15 milionë euro për shërbimet e 25-vjeçarit. Edhe pse Juventusi do të preferonte diçka më tepër për kartonin e anësorit amerikan, duke parë situatën e krijuar në këtë merkato, mund të jenë dakord me propozimin e Marsejës, që gjithësesi nuk ka ardhur në rrugë zyrtare.

Nga ana tjetër, për Mbangula interesohet prej kohësh skuadra e Werder Bremen. Pas dështimit të transferimit të Mbangula në Angli, tek Werder po provojnë të përfitojnë nga situata dhe shumë shpejt, do të paraqesin një ofertë zytare prej 13 milionë eurosh. Tek Juventusi mund të kërkojnë edhe përfshirjen e disa bonuseve, ndërkohë që bardhezinjve u intereson realizimi i një operacioni të tillë. Mbangula u transferuar për 500 mijë euro nga Anderlecht në 2020-ën, prandaj shitja e tij do të sillte të ardhura të mira në raport me plusvalencat dhe bilancet.

Në total, Juventusi shpreson të arkëtojë rreth 30 milionë euro nga shitjet e Weah dhe Mbangula, që do të përdoreshin për transferimin e Jadon Sancho-s. Ky i fundit, është shfaqur i hapur për të negociuar çështjen e pagës, pasi e sheh kalimin tek Juventusi si një mundësi të mirë për karrierën e tij, pas problemeve të vazhdueshme tek Manchester United.