Serie A/ Juventus fiton ndaj Lazios, skuadra bardhezi ndryshon objektivat e sezonit

Sport

Juventusi thyen edhe Lazion. Skuadra bardhezi ka fituar me rezultatin 3-0 ndaj ekipit kryeqytetas, në atë që ishte sfida e 14-të e Serie A.

Sfida u zhbllokua në minutën e 43, ku Moise Kean e dërgoi topin në rrjetë, duke përfituar edhe nga dalja e gabuar e portierit mik, Provedel.

Më pas, kur nga pjesa e dytë, do të kishin kaluar vetëm 9 minuta, Këan shënoi sërish, duke konsoliduar rezultatin për të zotët e shtëpisë. Sulmuesi i qendrës ka shënuar 3 gola në Serie A, në 4 ndeshjet e tij të fundit, aq sa kishte shënuar në 35 të mëparshmet.

Në një ndeshje të tillë, gjurmë do të linte edhe Arkadush Milik. Polaku e pati tepër të thjeshtë ta dërgonte topin në rrjetë, pas pasimit të marrë nga Federico Chiesea. Ky i fundit, përfshihet për herë të parë në një gol të Serie A, pas plot 308 ditësh. Më konkretisht, që nga 9 janari i këtij vitit, kur dha një assist ndaj Romës.

Në rrethana si këto, Juventusi ia del të sigurojë 3 pikë të vlefshme, e për më tepër pa pësuar gol. Në këtë mënyrë, Zonja e Vjetër ka shkuar tashmë në 6 ndeshje radhazi pa pësuar, diçka që nuk kishte ndodhur që nga viti 2018-të, atëherë kur në krye të skuadrës ishte pikërisht Massimiliano Allegri.

Me mbrojtjen më të mirë të kampionatit, me vetëm 7 gola, skuadra bardhezi, tashmë është ngjitur në vendin e 3-të të tabelës së klasifikimit, në kuotën e 31 pikëve, 2 më pak sesa Milan ii vendit të 2-të dhe 10 më pak sesa Napoli kryesues. Një ecuri e tillë, mund të ketë ndërruar objektivat për Juventusin, që nga një vend për në Champions League, tanimë mund të shpresojë për titullin kampion.