Randal Kolo Muani ishte një nga lojtarët më të dalluar të Juventusit në pjesën e dytë të sezonit. Sulmuesi francez bëri paraqitje prej lideri në radhët e bardhezinjve, që gjithësesi ende nuk e kanë siguruar 26-vjeçarin. Kartoni i Kolo Muani mbetet nën zotërimin e Paris SG, aty ku janë të gatshëm ta lejojnë të largohet, nëse do të vijë oferta e duhur. Prej kohësh, Juventusi është në bisedime me drejtuesit e Parisit. Madje, klubet e kanë një akord verbal, por Juventusi duhet që fillimisht të shesë disa lojtarë përpara se të bëjë realitet afrimin e Kolo Muanit. Nga ana tjetër, lojtari është i gatshëm të ulë pagën dhe bonuset, për ta bërë realitet këtë lëvizje, duke u shfaqur i lumtur atë se çfarë kaloi tek torinezët gjatë pjesës së dytë të sezonit të kaluar.
Dusan Vlahovic është ai që duhet larguar në këtë merkato, në mënyrë që emra si Kolo Muani apo të tjetër të afrohen tek bardhezinjtë. Për sulmuesin serb ka patur interesim, si brenda, edhe jashtë Italisë, por kërkesa prej 20 milionë e Juventusit është konsideruar e tepruar. Kjo, për shkak se Vlahovic i skadon kontrata në qershorin e ardhshëm, prandaj Juventusi rrezikon ta humbasë edhe me parametra zero. Manchester United është një nga skuadrat që ka menduar të lëvizë drejt Vlahovic. Klubi anlgez nuk e ka problem t’i jap një pagë të kënaqshme serbit, ndonëse jo shifrat prej 12 milionë eurosh që sulmuesi fiton aktualisht tek Juventusi. ‘Djajtë e kuq’ kanë si synim kryesor afrimin e Benjamin Sesko, por duke parë se për lojtarin e Leipzig gjërat janë komplikuar, emri i Vlahovic shihet si plani ‘B’ për trajnerin Amorim.