Pavarësisht golit të realizuar në takimin e parë në ‘Serie A’ për këtë sezon, kundër Parmës, Dusan Vlahovic vijon të jetë jashtë planeve të Juventusit. Tashmë në vitin e fundit të kontratës së tij me bardhezinjtë, sulmuesi serb mbetet ende në merkato, ndonëse deri më tani, asnjë nga ekipet e interesuara nuk ka rënë dakord për të plotësuar kërkesat fillestare prej 20 milionë eurosh. Tani, Juventus është gati të pranojë edhe një shifër më të ulët, ndërkohë që si problem po shfaqet edhe çështja e komisioneve të pretenduara nga agjentët dhe familjarët e Vlahovic. Së fundmi, Juventusi ia ka propozuar kartonin e sulmuesit edhe drejtuesve të Newcastle në Angli. Me Alexander Isak që ka kërkuar zyrtarisht largimin nga Newcastle, Juventus mendon se Vlahovic mund të ishte një alternativë e mirë për klubin anglez. Por pavarësisht marrëdhënieve të mira mes palëve, aktualsiht, tek Newcastle po shqyrtojnë më së shumti emra të tjerë sa i përket sulmit. Vlahovic nga ana tjetër u përfol se do i pëlqente një transferim tek Milani, që nuk është dakord të përmbushë kërkesat e Juventusit për kartonin, por edhe ato të pagës së lojtarit. Situata me Vlahovic kompikohet ditë pas dite për bardhezinjtë nga Torino, pasi nga largimi i mundshëm i serbit varet edhe mbërritja e Kolo Muani nga Paris SG. Tek Juventusi e kërkojnë me ngulm rikthimin e sulmuesit francez, por pa kompletuar shitjet e nevojshme, nuk mund te bëhen investime të mëdha. Në rastin e Kolo Muani, transferimi i kartonit të tij mund të kalojë shifrën e 50 milionë eurove.
