Serie A, Juventus do Lukaku-n; tek Chelsea nuk janë të bindur për Vlahovic

Sport

10 milionë euro është diferenca mes kërkesës së Juventus-it dhe ofertës së Chelsea-t për tratativat e shkëmbimit mes Dusan Vlahovic e Romelu Lukaku-t. Bardhezinjtë kanë ulur pretendimet e tyre, pasi veç kartonit të Lukaku-t, fillimisht pretendonin 40 milionë euro, ndërsa tani, janë të gatshëm të gjejnë një marrëvesje për 30 milionë euro, plus 5 të tjera në formë bonusesh. Ndërsa Chelsea ka rritur ofertën në më shumë se 20 milionë euro, pa llogaritur këtu bonuset. Bisedimet duket se po ecin në drejtimin e duhur dhe me gjasa, një marrëveshje mes palëve do të vijë brenda javës së dytë të gushtit, ndonëse në Angli kanë dalë disa lajme që raportojnë se trajneri i ‘bluve’, Mauricio Pochettino, nuk është shumë i bindur për Vlahovic. Tekniku i skuadrës londineze nuk ka garanci për gjendjen fizike të lojtarit përgjatë sezonit, duke iu refeuar problemeve që pati me dëmtimet 23-vjeçari përgjatë edicionit të kaluar. Gjithësesi, pas bisedimeve me anëtarët e stafit të tij dhe drejtuesve të Chelsea-t, Pochettino do ta pranojë transferimin e Vlahovic në ‘Stamford Bridge’ dhe kjo vjen edhe prej faktit se Lukaku, nuk është më aspak i dëshiruar në Londër. Sulmuesi belg po stërvitet i veçuar dhe e ka të qartë se e ardhmja e tij do të jetë diku tjetër. Megjithatë, për të bërë realitet këtë shkëmbim, ata të Chelsea-t duhet të nxitojnë, pasi për Vlahovic tashmë interesohet edhe Bayern Munich. Duke qenë se Kane është kthyer në një objektiv të pamundur në merkato, drejtuesit e kampionëve të Gjermanisë do të provojnë të firmosin me Vlahovic. Aspekti financiar për bavarezët nuk është problem dhe janë të gatshëm të plotësojnë kërkesat e Juventus-it. Drejtuesit bardhezi do t’i japin edhe pak kohë Chelsea-t dhe nëse gjërat nuk do të ndryshojnë, atëherë klubi italian do të presë një ofertë zyrtare nga Bayern për kartonin e sulmuesit serb.