Serie A, Juventus, Dështimi ndaj Napolit ‘djeg’; Allegri në dyshim

Sport

Humbja ndaj Napolit është padyshim më e rënda për Juventusin në 15 vitet e fundit. Skuadra bardhezi u turpërua 5-1 nga kryesuesit aktualë të ‘Serie A’ në stadiumin ‘Diego Armando Maradona’. Kjo ka bërë që të harrohet menjëherë seria prej 8 fitoresh radhazi dhe i pari që po ‘gjykohet’ në një farë mënyre nga ana drejtuesve të klubit, është trajneri Massimiliano Allegri.

Tekniku ka risjellë sërish vëmendjen tek pozitat e tij, pasi edhe më herët gjatë këtij sezoni, është përfolur një shkarkim i mundshëm i livornezit. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, largimi i Allegri-t në një moment të tillë nuk shihet si lëvizja e duhur në aspektin financiar, duke parë kontratën afatgjatë dhe pagën e lartë të 55-vjeçarit. Për më tepër, edhe dy emrat që përfliten se mund të marrin vendin e tij, kërkojnë po ashtu një kontratë me mbi 2 vite dhe një pagë të konsiderueshme. Bëhet fjalë për Antonio Conte-n dhe Zinedine Zidane. I pari mbetet i angazhuar me Tottenham dhe lëvizja drejt tij nuk është një mision i lehtë, ndërkohë që Zidane mbetet prej kohësh pa skuadër, teksa priste angazhimin tek përfaqësuesja e Francës, diçka që mesa duket nuk do të ndodhë. Duke qenë se Juventus tani rrezikon edhe vendin e katërt të renditjes, që është pozicioni i fundit që të siguron pjesëmarrjen në ‘Champions League’, drejtuesit janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë për të ndryshuar situatën. Mediat italiane llogarisin një investim prej 60 deri në 90 milionë euro, vetëm për ndryshimin e trajnerit dhe kjo nuk është lëvizja më e mirë e mundshme, në një kohë kur vazhdojnë hetimet e ‘UEFA’-s rreth manovrave të bëra në epokën Agnelli. Megjithatë, rreziku për të humbur ‘Champions League’-ën në sezonin e ardhshëm dhe leksioni i futbollit nga Napoli në javën e 18 të ‘Serie A’, janë dy gjëra që kanë bërë që tek bardhezinjtë të humbasin durimin. Edhe pse në pozita më të mira në renditje se sa në krizën e fillimit të sezonit, Juventus-i ende nuk po luan si Juventus-i.