Tashmë është zyrtare. Juventus do të ketë 10 pikë më pak në renditjen finale të këtij sezoni në ‘Serie A’. Ashtu siç ishtë përfolur, gjykata sportive italiane ka dhënë vendimin final rreth çështjes së shumëpërfolur të Juventus, sa i përket problemeve me plusvalencat dhe evazionin fiskal. Bardhezinjtë zbritën në fushë për javën e 36 ndaj Empolit, në dijeni të vendimin për heqjen e 10 pikëve, por që gjithësesi i mbante në lojë për një vend me 4 më të mirëve. Por ajo se çfarë ndodhi në stadiumin ‘Carlo Castellani’ ishte e paparashikuar. Empoli ia doli të triumfonte 4-1, teksa gjeti 2 gola të shpejtë brenda 20 minutave të para me Francesco Caputo dhe Sebastiano Luperto. Kur të gjithë prisnin reagimin e torinezëve, me fillimin e pjesës së dytë, Caputo gjeti dopietën dhe çoi shifrat në 3-0, teksa zëvendësimet e kryera nga Max Allegri nuk po jepnin rezultat. Chiesa ia doli të shënonte vetëm në minutën e 85-të, ndërkohë që Roberto Piccoli vulosi gjithçka në minutën e tretë të shtesës. Për herë të parë që nga nëntori i 2016-ës, Juventusi pëson 3 gola brenda 47 minutave lojë, ndërkohë që Caputo renditet tashmë mes 3 golashënuesve më të mirë të Empolit në ‘Serie A’.
Për Juventusin, kjo ishte një goditje e dyfishtë, pasi me humbjen e marrë në transfertën në ‘Carlo Castellani’, bëhet thuajse e pamundur arritja e vendit të katërt. Në renditjen e re, bardhezinjtë mbajnë vendin e shtatë, me 59 pikë. Përpos distancës prej 5 pikësh me Milanin e vendit të katërt, ndaj të cilëve, Juventusi luan ndeshjen e radhës, Allegri dhe të tijët duhet të bëjnë llogaritë edhe me konkurencën e fortë të Atalantës apo Romës. Ndërkohë nuk duhet harruar fakti që edhe nëse Juventusi ia del të sigurojë një biletë për një nga kompeticionet europiane, duhet të bëjë llogaritë me gjyqin e ‘UEFA’-s, që flitet se mund ta përjashtojë nga eventet e saj për të paktën 1 vit.