Serie A, Juventus-Conceicao, Porto refuzon ofertën e bardhezinjve; nuk heqin dorë nga klauzola e lojtarit

Sport

Francisco Conceicao nuk e ka ende të sigurtë nëse e ardhmja e tij do të vijojë të jetë te Juventusi. Anësori portugez fitoi zemrat e bardhezinjve me paraqitjet e bëra si i huazuar nga Porto, mirëpo këta të fundit nuk kanë ndërmend të ulin pretendimet për kartonin e tij. Juventusi pagoi 5 milionë euro për huazimin e tij, ndërkohë që në marrëveshje, parashikohej një klauzolë prej 30 milionë eurosh, nëse bardhezinjtë do të kërkonin transferimin e plotë të tij. Në Portugali, Juventusi thuhet se ka bërë një ofertë më të ulët se sa ajo e parashikuar në marrëveshjen fillestare, që Porto e ka kthyer menjëherë pas, duke qenë të qartë me atë se çfarë kërkojnë në këto tratativa. Nëse Juventusi dëshiron të blejë përfundimisht kartonin e Conceicao-s, duhet të paguajnë klauzolën prej 30 milionë eurosh. Nga ajo që zbulohet, Porto ka refuzuar po ashtu edhe përfshirjen në tratativa kartonin e ndonjë lojtari tjetër, duke këmbëngulur vetëm tek 30 milionë eurot e parashikuara në akordin e firmosur verën e kaluar. Ndërkohë zbulohet që në marrëveshjen e huazimit, veç 5 milionë eurove për realizimin e operacionit, Juventusi do të paguajë edhe 5 të tjera në formë bonusesh, të vendosura si shpërblim nëse arrihen disa objektiva ekipore dhe individuale të lojtarit.
22-vjeçari ka shprehur dëshirën për të vijuar qëndrimin tek Juventusi dhe me anë të përfaqësuesve të tij, por përpiqet të shtyje palët të gjejnë një akord, por gjasat janë që klubi torinez të paguajë klauzolën e parashikuar thuajse 1 vit më parë, si e vetmja mënyrë për të mbyllur me sukses këtë operacion. Megjithatë, shumë gjëra varen edhe nga ecuria e merkatos së bardhezinjve, që ende kanë shumë dilema sa i përket të ardhmes së tyre.