Dusan Vlahovic mbetet një nga investimet më të rëndësishme të këtij Juventus-i, që shpenzoi plot 82 milionë euro për të marrë kartonin e tij nga Fiorentina gjatë merkatos së janarit. Sulmuesi ende nuk ia ka dalë të shënojë me të njëjtin rendiment si tek skuadra ‘violë’, por gjithësesi, drejtuesit e Juventus-it për momentin janë të kënaqur me punën e tij.
Kështu është shprehur edhe Maurizio Arrivabene, drejtori i përgjithshëm i bardhezinjve që kërkon të mbrojë ylli e ri të skuadrës nga kritikat, që ai i cilëson si të tepruara. Arrivabene thotë se Vlahovic ka bërë gjithçka që i është kërkuar dhe ka arritur objektivat e vendosur në muajin janar.
Vlahovic për Juventus-in sipas tij nuk është thjesht një investim i rëndësishëm i momentit, por një qendër e projektit të klubit torinez në planin afatgjatë. Drejtori i Juventus-it e sheh Vlahovic si pikën kryesore të trajnerin Allegri për sezonin e ardhshëm dhe duke njohur aftësitë e sulmuesit serb, ai është i bindur se do realizohen të gjitha pritshmëritë. Kur vjen puna te kritikat, Arrivabene shprehet se as nuk kërkon t’i komentojë farë, pasi i duken absurde.
Ai e krahason Vlahovic me ish-lojtarin e tyre, tashmë pjesë e Milan-it, Zlatan Ibrahimovic.Duke u mbështetur tek karakteristikat e ngjashme mes tyre, Arrivabene thotë se sulmuesi serb mund të shpërthejë në të njëjtën mënyrë si Ibra dikur, për t’u shndërruar në një nga më të mirët në botë sa i përket rolit të tij.