Serie A, Juventus, Allegri flet për dëmtimet dhe merkaton

Sport

Massimiliano Allegri është një ndër të paktët emra të futbollit europian, që ka refuzuar milionat e Arabisë Saudite, me teknikun e Juventusit që është i vendosur për të çuar përpara projektit e nisur me bardhezinjtë. Një nga problemet e mëdha të teknikut 55-vjeçar gjatë sezonit të shkuar, që në fakt po shfaqet edhe në fazën përgatitore, është çështja e dëmtimeve. Allegri thotë se nuk mund të fajësojë përgatitjen fizike të lojtarëve për këtë pjesë, pasi vetë ai thotë se ka qenë dëshmitar i punës dhe dëshirës së madhe të secilit prej atyre që luajnë për ekipin e tij, për t’u përmirësuar ditë pas dite. Gjithësesi, ai e pranon se për fillimin e sezonit, duhet t’i bëjnë llogaritë pa disa prej lojtarëve, që kanë shfaqur probleme fizike. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Paul Pogba, por edhe për emra të tjerë që Allegri nuk kërkoi t’i përmendte, e të cilët duhet të punojnë pak më shumë se të tjerët për të qenë gati.

Tekniku nga Livorno u pyet edhe rreth merkatos së verës, ku zbuloi se është në kontakte të vazhdueshme me drejtuesit e klubit. Allegri e pranoi se drejtuesit po bëjnë gjithçka për të plotësuar kërkesat e tij për sezonin e ri, ndonëse gjërat në tregun e lojtarëve sa vijnë e bëhen më të vështira. Ai mendon se klubi duhet të vazhdojë të lëvizë në një mënyrë të kujdesshme, për të afruar vetëm ata emra që vërtet i japin diçka ndryshe ekipit. Këtu, duhet marrë në konsideratë edhe aspektin financiar, pasi tek Juventusi nuk e kanë luksin për të bërë lëvizje të çmendura, teksa edhe shpenzimet për pagat vjetore të lotjarëve të tyre, janë ulur ndjeshëm në krahasim me vitet e kaluara. Sa i përket Vlahovic, i cili është përfolur shumë për një largim, Allegri refuzoi pretendimet e mediave se pikërisht trajneri është një nga ata që ka pranuar zëvendësimin e tij sa i përket sulmit. 55-vjeçari u shpreh se serbi mbetet një element kyç për ekipin e tij dhe e vetmja gjë që i intereson në lidhje me Vlahovic, është rikuperimi i tij dhe rikthimi në formën më të mirë, përpara fillimit të sezonit.