Serie A/ Jose Mourinho kërkon lojtarin e Barcelonës

Sport

Memphis Depay është lojtari i radhës që Jose Mourinho kërkon ta transferojë tek Roma. Trajneri portugez e di shumë mirë se skuadra e tij ka nevojë për përforcime në repartin e sulmit, e për më tepër që konkurenca deri në fund të sezonit pritet të jetë shumë e madhe me kundërshtarët e tjerë.

Mirëpo, nga ana tjetër, Roma nuk ka mundësi që të bëjë shpenzime të majme në merkato, e sidomos tani që jemi në gjysmë të sezonit. Në kushte si këto, Mourinho nuk ka rrugë tjetër, veçse të kërkojë transferimin e lojtarëve me çmim të ulët, por që kualitetin e kanë të lartë. Një prej tyre është pikërisht Memphis Depay.

Për rreth një vit e gjysmë në “Camp Nou”, hollandezi nuk e ka gjetur asnjëherë veten në nivelin që pritej prej tij, e për më tepër që nuk është i projektuar as si titullar në formacionin e trajnerit Xavi Hernandez. Duke marrë parasysh këtu që lojtarit në fjalë i përfundon kontrata në fund të sezonit, Barcelona nuk do të dëshironte që hollandezi të largohej me parametra zero.

Nga ana tjetër, edhe Jose Mourinho e di mirë këtë gjë. Për këtë arsye, referuar këtu mediave italiane, Roma kërkon që fillimisht ta marrë sulmuesin në huazim deri në fund të sezonit, e më pas të operojë me blerjen e kartonit të tij. Depay është 28 vjeç dhe vlera e tij në tregun e merkatos nuk shkon më tepër sesa 20 mln euro. Mirëpo, Roma do shpresojë që marrëveshja të kompletohet për një shumë më të vogël se kaq.

Për momentin, Depay ështëi angazhuar me Hollandën në Kupën e Botës, ndërsa vetëm pas përfundimit të këtij evenimenti pritet që të qartësohet më saktë e ardhmja e tij. Sidoqoftë mundësitë janë mjaft të mëdha që së shpejti, sulmuesi të zbarkojë në “Olimpico”.