Juventusi ka nisur sulmin për mbrojtësin e Romës, Rick Karsdorp. Anësori i djathtë i prapavijës, është shpallur i padëshiruar në skuadrën verdhekuqe nga trajneri Jose Mourinho, pas gabimit që hollandezi bëri në transfertën ndaj Sassuolos.
27 vjeçari është i lidhur në një kontratë me Romën deri në vitin 2025 dhe për ta lënë të lirë lojtarin në fjalë, klubi verdhekuq kërkon rreth 17 mln euro. Duke u nisur këtu nga raportimet e mediave përtej Adriatikut, Juventusi nuk është gati të paguajë 17 mln euro menjëherë në arkat e Romës. Mirëpo bardhezinjtë kanë një tjetër propozim. Ata duan që mbrojtësin ta marrim si fillim në formën e huazimit përgjatë merkatos së janarit, ndërsa në kontratë të përfshijnë edhe mundësinë e blerjes përfundimtare të kartonit të tij, me një çmim, që po ashtu mbetet për t’u përcaktuar.
Pra, Juventusi kërkon që të shmang pagesën direkte për të siguruar kartonin e Karsdorp, dhe synon t’i paguajë ato në një moment të dytë. Nëse një marrëveshje e tillë arrihet, atëherë në janar, anësori i linjës së djathtë mund të zbarkojë në Allianz Stadium.
Nga ana tjetër, duke qenë se Karsdorp nuk e ka aspak të mirë marrëdhënien me Romën, më konkretisht me trajnerin Jose Mourinho, duket shumë e vështirë që ai ta mbyllë këtë sezon në Olimpico. Këtë situatë, Juventusi kërkon ta shfrytëzojë në maksimum dhe për këtë arsye nuk përjashtohet mundësia që në një të ardhme të afërt, lojtari t’i bashkohet organikës së Massimiliano Allegrit.