Serie A/ Interi ka nisur nga puna për të rinovuar me disa futbollistë

Sport

Fitorja në derbi e ka përmirësuar disi bilancin e ecurisë së Interit në kampionat. Ndonëse me diferencë të theksuar prej 13 pikësh nga kryesuesit e Napolit, zikaltërit ndodhen të vetëm në vendin e 2-të dhe kësisoj, drejtuesit kanë nisur të mendojnë situatën e kontratave për disa futbollistë.

Si fillim bëhet fjalë për dy lojtarë; Romelu Lukaku dhe Hakan Çalhanoglu. Belgu, i rikthyer në huazim në “San Siro” nuk i ka përmbushur aspak pritshmëritë, për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme që e kanë mbajtur jashtë fushave të lojës deri në këtë fazë të sezonit.

Megjithatë, sulmuesi u rikthye në derbi dhe në minutat që luajti, tregoi se momenti i vështirë ka kaluar dhe ai do përqendrohet në maksimum në pjesën e mbetur të sezonit, teksa mund ta ndihmojë shumë ekipin në arritjen e rezultateve pozitive.

Drejtuesit nuk e kanë humbur besimin tek shtatlarti belg dhe në të tilla rrethana, së shpejti do nisin bisedimet me Chelsean, për ta mbajtur Lukakun edhe për një tjetër edicion në huazim.

Sa i përket situatës së Çalhanoglu, mesfushorit i përfundon kontrata në verën e 2024-tës, por e ardhmja e tij shihet zikaltër edhe për shumë edicione të tjera. Turku e ka shprehur publikisht se dëshiron të vazhdojë me Interin dhe pret vetëm reagimin e klubit.

E me shumë mundësi, propozimi i 19 herë kampionëve të Italisë nuk pritet të vonojë. Duke u referuar në raportimet e mediave përtej Adriatikut, Interi ka gati një ofertë rinovimi deri në 2026-tën, me një pagë prej 5.5 mln eurosh në sezon, ndërsa bonuset nuk janë përcaktuar ende.

Po ashtu, në një të ardhme të afërt, Interi mund të rinovojë kontratën edhe me dy lojtarë të tjerë, sikurse janë mbrojtësit Alessandro Bastoni dhe Stefan De Vrij.