Serie A, Interesimi i Milanit për Zaniolon; agjenti i lojtarit jep sinjale pozitive

Sport

Milani nuk ka ndërmend të heqë dorë nga afrimi i mundshëm i Zaniolos. Anësori italian shihet si profili i duhur për të përforcuar skuadrën për sezonin e ardhshëm, ku pritshmëritë tek kampionët e rinj të ‘Serie A’ janë vërtet të larta. Edhe pse mediat italiane raportuan se Roma e kishte refuzuar ofertën fillestare të Milanit, që përfshinte edhe kartonin e Alexis Saelemaekers, bisedimet mbeten ende të hapura. Si për të ndezur edhe më shumë situatën, ka menduar agjenti i Zaniolos, Claudio Vigorelli, i cili jashtë kamerave është shprehur se nuk di ende asgjë rreth ofertës së Milanit për klientin e tij, por pranoi se do të ishte diçka mjaft e bukur dhe e rëndësishme nëse kuqezinjtë po lëvizin konkretisht në drejtim të anësorit. Burime pranë Zaniolos po ashtu e kanë konfirmuar se 22-vjeçari e pëlqen një zhvendosje drejt Milanos, ku do të kishte mundësinë të luante edhe në ‘Champions League’.

Me pak fjalë, Zaniolo është i gatshëm të ulet në bisedime për të gjetur një marrëveshje personale me Milanin, por klubi kuqezi duhet të sigurojë fillimisht ‘dritën jeshile’ nga Roma. Oferta e parë e kampionëve të rinj të Italisë konsistonte në 25 milionë euro, plus kartonin e Alexis Saelemaekers. Ky propozim u hodh poshtë nga klubi kryeqytetas, pasi thuhet se trajneri Jose Mourinho nuk e sheh anësorin belg si një emër të përshtatshëm për taktikat e tij. Në ditët në vijim, Milani mund të bëjë një propozim të ri për transferimin e Zaniolos dhe zyrtarizimi i ndryshimit të pronësisë, është një tjetër shenjë se kjo merkato, do të jetë mjaft aktive për Maldinin dhe Massaran.