Serie A, Inter, Zhang zgjeron kapitalin, që të bëj të mundur rinovimin me Skriniar

Sport

Milan Skriniar ishte emri më i përfolur në merkaton në dalje tek Interi, me mbrojtësin sllovak që ishte shumë pranë kalimit tek PSG. 27-vjeçari ka hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij me zikaltërit dhe klubi francez ka kërkuar të përfitojë për ta afruar në skuadër. PSG ofroi 50-60 milionë euro për kartonin e Skriniar, por tek Interi refuzuan, me shpresën se do të gjejnë një marrëveshje për rinovimin me lojtarin. Tek PSG nuk kanë hequr dorë, pasi në janar do të paraqitet një tjetër ofertë për Interit, sigurisht, shumë më e ulët se sa ajo në verë, me Interin që mund të detyrohet ta shesë për të mos e humbur me parametra zero.

Por për të ndryshuar situatën ka menduar presidenti i zikaltërve,. Sipas asaj që zbulojnë mediat italiane, Zhang ka aprovuar një rritje të kapitalit në arkat e klubit me 100 milionë euro, nga ku do të gjejë paratë për të siguruar rinovimin e kontratës me lojtarin. Gjatë verës, Skriniar kishte marrë një propozim nga PSG, për një kontratë 5-vjeçare, me pagë 9 milionë euro në sezon, pa llogaritur këtu bonuset. Nga ana tjetër, drejtori i Interit, Marotta, është ndalur në një propozim që konsiston në 6,5 milionë euro pagë. Me rritjen e kapitalit nga ana e Zhang, Marotta do të ketë mundësinë të përpilojë një ofertë më të mirë për Skriniar, i cili ende nuk e ka të qartë se ku do të luajë në të ardhmen.

Sllovaku e ka pranuar gjithnjë se është i lumtur me aventurën tek Interi, por nën anën tjetër, një aventurë e re me PSG duket se e intrigon, përtej përfitimeve financiare në rast kalimi tek kampionët e Francës. Presidenti i zikaltërve, Zhang, e ka bërë tashmë lëvizjen e tij dhe i ka dhënë disa mundësi më shumë Marotta-s dhe të tjerëve, që të fitojnë këtë ‘luftë të ftohtë’ me PSG, por njësoj si gjatë muajve të verës, vendimtare do të jetë edhe vetë dëshira e Skriniar.