Serie A, Inter, Thuram braktis grumbullimin me Francën dhe kthehet në Milano

Sport

Problemet në kaviljen e Marcus Thuram duket se janë më serioze se sa ishin menduar. Për të disatën herë në këtë sezon, sulmuesi 27-vjeçar ndjen dhimbjet e një dëmtimi në kaviljen e tij, që nuk po e lejon të rikthehet plotësisht në formë. Së fundmi, Thuram ka braktisur edhe grumbullimin në përfaqësuesen franceze, pasi mjekët e stafit të Didier Deschamps e kanë vlerësuar të rrezikshme për gjendjen e lojtarit, aktivizimin e tij në kushtet aktuale. Lajmi është konfirmuar edhe në faqet zyrtare të federatës franceze, që deklaron se dhimbjet e vazhduezhme në kaviljen e Thuram, kanë bërë që ai të mos jetë pjesë e skuadrës në takimet e radhës së ‘gjelave’. Sulmuesi është nisur menjëherë drejt Milanos, ku stafi i Interit do të kujdeset që ai të shfrytëzojë ndalesën nga futbolli i kombëtareve, për të rikuperuar sa më shpejt. Interin e pret një maratonë ndeshjesh vendimtare për fatin e këtij sezoni, duke nisur që nga fundi i muajit mars dhe trajneri Simone Inzaghi shpreson që golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij në këtë sezon të ‘Serie A’, të jetë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij.

Problemet e para serioze të Thuram tek kavilja e tij, nisën në sfidën që Interi fitoi 2-1 ndaj Fiorentinës, më 10 shkurt e ku francezi luajti vetëm 28 minuta. Lojtari vijoi të ndjente dhimbje edhe në sfidën pasardhëse, ndaj Juventusit, ku luajti disa minuta, i ardhur nga stoli, ndërkohë që do të mungonte në takimin ndaj Genoa-s. Shqetësimet për 27-vjeçarin kanë vijuar edhe më tej, por siç zbulojnë burimet pranë klubit të Interit, vetë Thuram ka kërkuar të ‘shtrëngojë dhëmbët’ e të zbresë në fushë në disa takime delikate për fatin e sezonit të skuadrës. Ai do të nisë menjëherë rehabilitimin e kaviljes së tij dhe gjasat janë që pas përfundimit të futbollit të përfaqësueseve, Thuram të jetë gati për t’u vënë në dispozicion të trajnerit Simone Inzaghi.