Serie A, Inter, Taremi mbetet çështje, por në skenë del Sassuolo

Sport

Mehdi Taremi ende vijon të jetë pjesë e Interit, pavarësisht se tek klubi zikaltër ia kanë bërë të qartë se nuk është më pjesë e planeve. Për sulmuesin iranian, ka patur disa interesime, kryesisht jashtë Europës, por që nuk janë finalizuar. Taremi beson se ende ka shumë për të dhënë në elitën e kampionateve europaine dhe dëshira e tij është të vijojë të luajë në nivelet më të larta. Së fundmi, ishin Leeds, PSV Eindhoven dhe Fulham që u interesuan për të, por pa asnjë ofertë zyrtare. Në skenë tani, ka dalë edhe Sassuolo, që po e mendon seriozisht afrimin e sulmuesit 33-vjeçar. Mediat italiane kanë zbuluar së skuadra emiliane e ka si objektiv afrimin e një sulmuesi të rëndësishëm, pas përforcimeve të fundit, që konsiston me Vranckx dhe Matic në mesfushë. Për Taremin, drejtuesit e Sassuolo-s janë gati të bëjnë një propozim tek Interi për huazimin me të drejtë blerje, por një nga gjërat që mbetet problem në këtë situatë, është paga e lartë e lojtarit. Taremi përfiton aktualisht 5,5 milionë euro në sezon, shifër që tek Sassuolo nuk e mbulojnë dot. Nga ana tjetër, Interi nuk është fort i bindur me formulën e huazimit me të drejtë blerje, pasi kërkon të largojë përfundimisht nga klubi Taremin, për shkak të kostove të larta. E nëse mes klubeve, arritja e një marrëveshje duket më e thjeshtë, shumë gjëra do të varen nga vetë lojtari, në lidhje uljen e pagës së tij, apo dhe dëshirën për t’u bashkuar me projektin e Sassuolo-s. Mehdi Taremi është pjesë e Interit që nga vera e kaluar, kur erdhi si një goditje me parametra zero nga Porto. Sulmuesi iranian nuk ia doli të jepte kontributin e dëshiruar, me klubin zikaltër që tani ka vendosur të lëvizë në drejtim tjetër.