Serie A, Inter, Sommer flet për aventurën me zikaltërit

Sport

Yann Sommer ishte zgjedhja e Interit sa i përket zëvendësuesit të Andre Onana në portë për këtë sezon të ri. Portieri zviceran e ka nisur me paraqitje mjaft të mira në radhët e klubit italian, duke fituar një mbështetje të madhe nga trajneri Inzaghi dhe tifozët zikaltër. Ndonëse 34-vjeçar, Sommer thotë se ndihet i entuziasmuar për këtë eksperiencë njësoj si kur të ishte një lojtar i ri, pasi tek Interi ka ndjerë një ambjent të përkryer për të qenë vetvetja. Aktualisht, Sommer gjendet i grumbulluar me përfaqësuesen e vendit të tij, por nuk i ka shmangur dot pyetjet rreth kësaj aventure në Itali. Ai e pranoi se po kalon një moment të mirë dhe për këtë falenderon shokët e tij të skuadrës. Sipas tij, Interi ka një nga mbrojtjet më të forta në botë dhe kjo gjë e bën padyshim shumë më të lehtë punën për portierin. Për këtë arsye, mbështetjen e shokëve të tij të ekipit në fushën e blertë, ai e konsideron si një dhuratë që çdo koleg i tij do të donte ta kishte. Po ashtu, Sommer ka mbetur i impresionuar nga atmosfera në stadiumin ‘Giuseppe Meazza’, që e konsideron si një nga impiantet më të bukur që ka luajtur ndonjëherë. Siguirsht që nuk munguan edhe fjalët për tifozët, të cilët e kanë mirëpritur që nga dita e parë, duke i dhënë garanci e qetësi për të bërë detyrën e tij si duhet. Përshtatja në Itali ka shkuar gjithashtu në mënyrën e duhur, me Sommer që zbuloi se janë disa prej shokëve të skuadrës, të cilët janë përpjekur t’ja bëjnë gjërat sa më të thjeshta në muajt e tij të parë në Milano. Si një portier me shumë eksperiencë, 34-vjeçari e njeh rëndësinë e rolit të tij në arritjen e objektivave të vendosur nga klubi, por për këtë, ai thotë se është i qetë. Interi sipas tij e ka potencialin për të patur një rrugëtim edhe më të mirë se sa në sezonin e shkuar, me ‘Scudetto’-n dhe yllin e dytë në fanellë që mbetet gjithnjë prioritet, por pa lënë pas edhe luftën në ‘UEFA Champions League’.