Serie A, Inter, Simone Inzaghi është pranë rinovimit të kontratës

Sport

Ndërkohë që Ausilio e Marotta vijojnë punën për të përforcuar skuadrën e Interit në merkato, nuk është harruar as çështja e trajnerit Simone Inzaghi. Presidenti Zhang pati deklaruar në fundin e sezonit të shkuar se do të rishohin kontratën e teknikut 47-vjeçar, duke parë punën e mirë të bërë prej tij. Duke iu referuar mediave italiane, Inzaghi është është pranë rinovimit të kontratës së tij, diçka që supozohet të ndodhë përpara nisjes së sezonit të ri. Aktualisht tekniku gjendet në Japoni, bashkë me skuadrën, ku po zhvillojnë fazën përgatitore, por kontrata e re tashmë është paraqitur përpara përfaqësuesve ligjore të trajnerit. Nga ajo që raportohet, Inzaghi do të ketë një zgjatje të marrëveshjes me një vit, duke e shtyrë bashkëpunimin mes palëve deri në qershorin e 2025-ës, teksa parashikohet edhe një rritje e lehtë e pagës së tij. Do të ndryshojë situata me bonuset, ku Inzaghi do të përfitojë shpërblime të majme në rast se skuadra e Interit do të arrijë suksese të rëndësishme në ‘Serie A’ apo edhe ‘Champions League’. Trajneri zikaltër ishte në dyshime për të ardhmen në mesin e sezonit të shkuar, por ia doli ta përmbyste situatën në favor të tij, duke marrë edhe komplimente të mëdha për atë se çfarë bëri deri në finalen e 10 qershorit ndaj Manchester City. Edhe pse ndaj ‘cityzens’, Interi u mposht, Inzaghi u vlerësua për mënyrën se si kishte përgatitur gjithçka. Ndërkohë që ia ka dalë të nxjerrë më të mirën nga lojtarët e tij, edhe pse drejtuesit jo gjithmonë kanë plotësuar ekzaktësisht kërkesat e tij sa i përket merkatos. Tekniku 47-vjeçar numëron 109 ndeshje zyrtare në krye të stolit të Interit zikaltër, duke patur një mesatare prej më shumë se 2 pikësh për ndeshje. Objektivi i Inzaghi-t tashmë është të arrijë ‘Scudetto’-n, që do të përkthehej në yllin e dytë në fanellë për Interin. Për më tepër, ky ishte i vetmi trofe që i mungon sa i përket kompeticioneve italiane.