Serie A, Inter siguron firmën e Audero-s; gati zyrtarizimi i Samardzic

Sport

Emil Audero është zyrtarisht portier i Inter-it. Zikaltërit kanë bërë një lëvizje të shpejtë e të befasishme për të firmosur me 26-vjeçarin, që do të rivalizojë Yann Sommer për një vend në portën e nënkampionëve të Europës. Audero ka kaluar testet fizike e ato mjekësore e më pas ka hedhur firmën e tij në kontratë, teksa formula e afrimit të tij është huazim me të drejtë blerje. Ende nuk dihet se për çfarë shifrash flitet se mund të bëhet transferimi i plotë në qershorin e ardhshëm, por tek Sampdoria kanë dhënë ‘dritën jeshile’ një nga lojtarëve kryesorë të ekipit për t’u larguar, pas rënies nga kategoria në fundin e edicionit të kaluar në ‘Serie A’. Vlen të theksohet se nëse do të plotësohen disa objektiva, atëherë në marrëveshjen e planifikuar mes Inter-it dhe Sampdoria-s parashikohet që e drejta e blerjes së kartonit të Audero-s do të kthehet në detyrim. Për momentin, trajnerin Simone Inzaghi sheh Sommer si portierin kryesor të ekipit, por Audero do të ketë shanset e tij, që mund të sjellin edhe ndonjë rokadë sa i përket portës zikaltër.

Inter-i do të zyrtarizojë edhe Lazar Samardzic si një tjetër blerje e kësaj merkatoje verore, pasi fantazisti kaloi me sukses të gjitha testet. Lojtari është shfaq entuziast për këtë aventurë të re, pasi do të ketë shansin të luajë edhe në ‘Champions League’. Edhe pse u duk sikur marrëveshja e Inter-it dhe Udinese-s pati një farë ngërçi, gjërat janë zgjidhur shumë shpejt dhe ekipet i kanë qëndruar akordit fillestar. Skuadra zikaltër do të paguajë 4 milionë euro për huazimin e Samardzic, me detyrimin për blerjen e kartonit të lojtarit për 16 milionë euro, plus 2 të tjera në formë bonusesh. Po ashtu, për Udinese-n do të shkojë edhe kartoni i 20-vjeçarit Fabbian, i vlerësuar 4 milionë euro, teksa Inter-i ka përfshirë edhe një klauzolë riblerjeje të lojtarit për 12 milionë euro.