Çështja e Ivan Perisic po kthehet në një nga temat më të diskutuara të merkatos së ardhshme verore. Kroatit i skadon kontrata me Interin dhe mund të transferohet në një skuadër tjetër si lojtar me parametra zero. Në fakt, 33-vjeçari dha disa sinjale largimi nga zikaltërit pas finales së ‘Kupës së Italisë’, ku u shpreh i pakënaqur për mënyrën se si drejtuesit e klubit italian e kanë menaxhuar situatën e kontratës. Shumë media e kanë lidhur emrin e anësorit kroat me skuadrën e Juventusit, që do të ishte gati të përfitonte nga kontrata e përfunduar e Perisic, për të firmosur me të.
Anësori shihet si një përforcim i rëndësishëm në krahun e majtë të formacionit të trajnerit Allegri, aty ku Alex Sandro nuk ka performuar sipas pritshmërive. Por atë Interit kanë filluar të bëjnë lëvizjet e tyre për të mos e lejuar një skenar të tillë të bëhet realitet. Mediat italiane raportojnë se zikaltërit kanë rritur ofertën e tyre fillestare dhe janë gati t’i garantojnë lojtarit një pagë prej 5 milionë eurosh, pa llogaritur këtu bonuset. Fillimisht, Interi i kishte propozuar lojtarit një kontratë 1-vjeçare me 4,5 milionë euro në sezon, ndërkohë që agjenti i Perisic kërkonte një kontratë për 2 sezone, me 6 milionë euro në vit. Interi heziton t’i ofrojë kroatit një kontratë afatgjatë, duke parë moshën e tij 33-vjeçare, por rritja e pagës deri në 5 milionë euro plus bonuse duket se edhe mund ta joshin anësorin. Gjithësesi, pistat Juventus e Chelsea mbetet në lojë për Perisic, që veç pagës së kënaqshme, kërkon të ketë edhe minuta të garantuara.