Serie A, Inter, Romelu Lukaku-n e pret një shans i dytë tek Chelsea

Sport

Romelu Lukaku duket se ka rigjetur formën e tij të mirë dhe e bën këtë pikërisht në momentin e duhur për Interin, që përgatitet të luajë derbin në ‘Champions League’ në fazën gjysmëfinale. Zikaltërit po ashtu duhet të luftojnë shumë për një vend mes 4 më të mirëve në kampionat, për të garantuar prezencën në elitën e futbollit europian dhe Lukaku pritet të ketë një rol lideri tek ekipi i Simone Inzaghi-t. Në fund të këtij sezoni, Lukaku supozohet të kthehet tek Chelsea, që ende zotëron kartonin e lojtarit dhe ndryshe nga ajo që flitej disa javë më parë, ‘blutë’ e Londrës janë gati t’i japin një shans sulmuesit belg. Me Mauricio Pochettino-n që pritet të jetë trajneri i ri i skuadrës angleze, drejtuesit mendojnë se do të ishte një situatë e mirë që Lukaku të gjente një tjetër shans për t’u përshtatur në ekip. Tek Chelsea i referohen punës që Pochettino bëri dikur me Harry Kane, kur drejtonte Tottenham dhe shpresojnë që e njëjta gjë të ndodhë edhe me Lukaku-n, që mund të jetë një element kyç në skemat e trajnerit argjentinas. Vetë lojtari është i lumtur në Milano, tek Interi, por vështirë se klubi italian do të pranojë të paguajë kërkesat financiare të Chelsea-t, për të marrë edhe njëherë në pronësi kartonin e 29-vjeçarit. Sulmuesi belg gjithësesi nuk do t’i thoshte ‘jo’ një shansi tjetër në radhët e Chelsea-t, ku do të gjejë një projekt të nisur nga e para dhe ku shpreson të jetë një nga pikat kryesore të Pochettino-s. Në këtë sezon, Lukaku ka vuajtur jo pak dëmtimet, por me ritmin e shfaqur së fundmi, belgu mund të kthehet edhe njëherë mes më të mirëve në botë në rolin e tij.