Serie A, Inter; ‘ngec’ sërish transferimi i Samardzic; Arnautovic drejt Milanos

Sport

Transferimi i Lazar Samardzic nga Udinese tek Inter-i po kthehet në një situatë të pakëndshme për drejtuesit zikaltër. Mediat italiane raportojnë se tratativat kanë ngecur sërish dhe kjo vjen pas në skenë tashmë ka dalë një tjetër agjensi menaxherësh të lojtarëe, që pretendon një pagesë për këtë lëvizje të Samardzic. Në këtë rast flasim për agjentin e tretë që pretendon diçka nga transferimi i 21-vjeçarit, sepse fillimisht ka qenë babai i mesfushorit që ka kërkuar rreth 50% të asaj që do arkëtojë përfaqësuesja ligjore e lojtarit, Rafaela Pimenta, që vepron për llogari të agjensisë së krijuar nga i ndjeri Mino Raiola. Babai i Samardizc u ka kërkuar zikaltërve një që të mbajë 50% të komisionit që do t’i paguhet Pimenta-s, teksa agjensia me qendër në Berlin, po ashtu pretendon një pagesë, për shkak se ende zotëron një përqindje të vogël të kartonit të lojtarit. Drejtori i Inter-it, Marotta, duket se është lodhur me këto situata aspak normale dhe u ka vendosur të gjitha palëve një ultimatum deri ditën e nesërme, ose përndryshe ky transferim nuk do të ndodhë. Nga kjo preket edhe Udinese, që në anën tjetër nuk e ka fare në plane Samardzic, i cili është stërvitur i vetmuar. Po ashtu, klubi friulan nuk dëshiron të heq dorë nga Fabbian, që u përfshi pikërisht në këtë transferim si pjesë e paketës që Inter-i i ofroi Udinese-s për kartonin e Samardzic. Kështu, edhe drejtuesit e Udinese-s po përpiqen të bindin familjen e serbit, si dhe agjentët e përfshirë të gjejnë një rrugë të mesme në këtë mosmarrëveshje mes tyre, pasi të gjitha palët rrezikojnë të dalin të humbura.
Ndërkohë çështja e sulmit tek Inter-i për momentin duket e zgjidhur. Marko Arnautovic do të bëjë realitet rikthimin e tij tek skuadra zikaltër, pasi nënkampionët e Europës vendosën të paguajnë rreth 10 milionë euro për kartonin e tij, me Bologna-n që më në fund hoqi dorë nga sulmuesi austriak. Kështu, trajneri Inzaghi do të ketë një alternativë të mirë edhe për stolin, teksa dyshja Lautaro Martinez e Marcus Thuram programohen të jenë titullarë.