Serie A, Inter në shitje; Zhang kërkon 1,2 miliardë euro

Sport

Interi mund të ndryshojë pronësi dhe ky nuk është një fakt i panjohur në ambjentet e futbollit italian. Numri 1 i klubit zikaltër, Steven Zhang është prej kohësh në kërkim të investitorëve që mund të shfaqin interes në blerjen e klubit, ose të paktën edhe të disa prej aksioneve. Mediat italiane raportojnë se pronarët kinezë të Interit kërkojnë rreth 1,2 miliardë euro për shitjen e klubit milanez, një shifër që nuk garantohet nga shumë prej atyre që kanë shfaqur interes. Ndër të vetmit që mbeten të gatshëm për të vijuar me tratativat është fondi i njohur amerikan, ‘Goldman Sach e Raine Group’, që muaj më parë u përfol edhe si një blerës i mundshëm i skuadrës tjetër të qytetit, Milanit, përpara se kuqezinjtë të kalonin nën pronësinë e ‘RedBird’.

Në garë për pronësinë e Interit thuhet të jetë edhe një fond tjetër amerikan dhe një nga Emiratet Arabe, por deri më tani nuk ka emra konkretë. Kjo, edhe për faktin se blerësit e tjerë të mundshëm, nuk janë të gatshëm të investojnë deri në 1,2 miliardë për blerjen e klubit. Një nga gjërat që pengojnë disa prej investitorëve të shpenzojnë kaq shumë, është mungesa e një stadiumi, pasi si Interi, edhe Milani, vijojnë të luajnë në San Siro, me ‘Giuseppe Meazza’-n që mbetet në pronësinë e bashkisë së Milanos. Tek Interi, një problem që mund të bëjë investitorët të hezitojnë është edhe çështja e bilanceve, pasi zikaltërit raportojnë për momentin një borxh prej 140 milionë eurosh. Edhe përgjatë sezonit të shkuar, Zhang kërkoi investitorë për të rregulluar bilancet me UEFA-n, por në fund u detyrua të shtonte fondin nga kompania me qendër në Kinë.