Shumë media e bënë të kryer kalimin e Milan Skriniar tek PSG, me këta të fundit që kishin rënë dakord të paguanin mbi 60 milionë euro tek skuadra e Interit. Megjithatë, këto tratativa u bllokuan në momentin që zikaltërit humbën betejën për shërbimet e Gleison Bremer, i cili u transferua tek Juventus. Me të ardhmen e tij ende të paqartë, Skriniar tashmë është rikthyer në stërvitje me skuadrën e trajnerit Simone Inzaghi, që ka nisur përgatitjen për sfidën miqësore ndaj Lionit. Skriniar mesa duket do të jetë në dispozicion të tij për këtë përballje, duke lënë të kuptohe se për momentin, sllovaku mbetet pjesë e planeve të klubit milanez.
Gjithësesi, tashmë është e njohur nevoja e drejtuesve të Interit për të arkëtuar sa më shumë para nga merkato dhe për këtë nevojiten shitja e dy emrave me peshë, mes të cilëve është edhe Skriniar. Për më tepër, kontrata e qendërmbrojtësit skadon në qershorin e ardhshëm dhe kjo mund të vërë disi në alarm Marotta-n dhe Zanetti-n. Me atë që zbulojnë mediat italiane, Interi po mendon të sigurojë edhe një rinovim të kontratës me 27-vjeçarin, në rast se nuk do të gjendet një mundësi për ta shitur kartonin e tij diku tjetër. Për këtë, nevojitet një propozim i kënaqshëm sa i përket termave financiarë, me agjentin e Skriniar që thuhet se mund të kërkojë një pagë prej 6 milionë eurosh në sezon për klientin e tij. Drejtuesit zikaltër po luajnë mes dy zjarreve.
Nga njëra anë, shitja e Skriniar shihet e nevojshme për të sjellë të ardhura në arkat e klubit, por edhe nëse diçka e tillë nuk ndodh, atëherë trajneri Inzaghi do të kishte në dispozicion sllovakun edhe për sezonin e ardhshëm. Në këtë rast, Interi do të rrezikonte ta humbiste mbrojtësin me parametra zero në qershorin e 2023-shit, duke qenë se pretendimet e lojtarit tashmë janë rritur ndjeshëm.