Serie A, Inter mendon për Lookman, por Atalanta nuk heq dorë kollaj

Sport

Ademola Lookman është prej disa sezonesh një pikë kyçe e formacionit të Atalantës. Sulmuesi nigerian ka shfaqur vazhdimësi në paraqitjet e tij në fushë, edhe kur u përfol se kishte probleme me trajnerin e bergamaskëve deri në fundin e sezonit të kaluar, Gian Piero Gasperini. Në Itali prej kohësh është përfolur se Lookman po shtyn agjentët e tij ta transferojnë në një skuadër më të madhe, pasi 27-vjeçari ndihet gati për të bërë hapin më të rëndësishëm të karrierës. Interi duket të jetë një alternativë e mirë për nigerianin, pasi kanë shfaqur një interesim për të firmosur me lojtarin. Kontrata e Lookman me Atalantën skadon në qershorin e 2027-ës dhe për momentin, sulmuesi ka hedhur poshtë mundësinë e rinovimit të marrëveshjes. Për këtë arsye, Atalanta mund të detyrohet ta shesë gjatë kësaj vere, për të përfituar sa më shumë nga kartoni i lojtarit. Në fakt, pretendimet e Atalantës për të mund të jenë problemi i vetëm në realizimin e këtij operacioni. Lookman do të ishte i lumtur me transferimin e mundshëm tek Interi dhe gjetja e një marrëveshje për termat e kontratës së tij nuk do të ishin një problem. Nga ana tjetër, për të lënë të lirë kartonin e 27-vjeçarit nigerian, Atalanta pretendon thuajse 50 milionë euro. Tek Interi kurrësesi nuk mund ta paguajnë këtë shifër, por do të provojnë të ulen në bisedime me drejtuesit e bergamaskëve, teksa nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes së ndonjë lojtari të Interit, si pjesë e një shkëmbimi. Duke parë karakteristikat e Lookman, tek Interi mendojnë se kanë gjetur profilin e duhur për t’i dhënë trajnerin Chivu diçka me tepër në repartin sulmues. Me Bonny dhe Pio Esposito si alternativa të rotacionit në sulm, mbërritja e mundshme e Lookman do t’i jepte tjetër pamje ofensivës zikaltër, por për të bindur Atalantën, për momentin duket një mision i vështirë.