Edhe pse u përfol shumë se do të firmoste me Milanin si lojtar i lirë, Daichi Kamada mbetet ende pa skuadër, pasi marrëveshja që kishte me Eintracht Frankfurt përfundoi në fundin e sezonit të shkuar. Tani në garë për të thuhet se është futur Interi, që ka nisur bisedimet e para me përfaqësuesit e lojtarit. Fantazisti japonez kishte arritur një akord me drejtuesit e Milanit, por largimi i Maldini-t e Massara-s ndryshoi shumë gjëra, duke qenë se lojtari do të zinte një vend ekstrakomunitar. Më pas, Kamada bisedoi me Lazio-n, por që nuk zgjati shumë, për shkak të pretendimeve të lojtarit. Thuhet se japonezi ka kërkuar një pagë prej 5 milionë eurosh në sezon, si dhe një komision prej 5 milionë eurosh të tjera për firmën. Lazio është tërhequr menjëherë nga mundësia për të firmosur me lojtarin ndërsa Interi është gati të përfitojë. Trajneri Simone Inzaghi është një nga ata që i pëlqen shumë karakteristikat e Kamada-s, i cili është një profil merkatoje që merr ‘dritën jeshile’ edhe nga Ausilio e Marotta. Afrimi i Kamada-s do të ishte pa shumë kosto, me zikaltërit që besojnë se mund të gjejnë një marrëveshje me lojtarin, ndonëse nuk do të pranojnë t’i garantojnë një pagë prej 5 milionë eurosh në sezon, siç përfaqësuesit e lojtarit kishin pretenduar nga Lazio.Për më tepër, që të konfirmohet një transferim i Kamada-s, tek Interi fillimisht duhet të krijojnë hapësira në mesfushë dhe për këtë mund të shërbejë shitja e mundshme e Stefano Sensi-t. Lojtari nuk i ka realizuar pritshmëritë e drejtuesve e të trajnerit, prandaj është profili më i rrezikuar për një largim në këtë merkato verore.
Edhe në fazën sulmuese, drejtuesit zikaltër duhet të nxitojnë me lëvizjet e tyre. Galatararay ka rishfaqur interesin për të firmosur me argjentinasin Joaquin Correa. Lojtari nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e kalimit në Turqi, ku do të merrte vendin e Mauro Icardi-t, gjithmonë nëse konfirmohet që ky i fundit do të huazohet drejt Argjentinës. Tek Interi kanë gati emrin që mund të zëvendësojë Correa-n. Bëhet fjalë për M’Bala Nzola të Spezia-s, që gëzon pëlqimin e trajnerin Inzaghi. 26-vjeçari ishte autor i 13 golave në ‘Serie A’ gjatë sezonit të kaluar, ndaj shihet si një alternativë e mirë për zikaltërit.