Romelu Lukaku është një rikthim me peshë tek skuadra e Interit, që do të kërkojë të rimarrë titullin kampion në ‘Serie A’ sezonin e ardhshëm. Por mbërritja e sulmuesit belg nuk do të jetë e vetmja goditje e madhe në merkaton e zikaltërve. Paulo Dybala lidhet prej kohësh për një transferim në Milano, edhe pse deri më tani nuk ka patur asgjë konkrete. Në lidhje me këtë çështje ka folur edhe numri 1 i merkatos së Interit, Giuseppe Marotta. Ai është përpjekur të sqarojë njëherë e mirë situatën me Dybala-n, duke thënë se pavarësisht dëshirës së të dyja palëve për të bashkëpunuar, duhen qartësuar si duhet termat financiar. Në këtë aspekt, Marotta thotë se për momentin janë larg një konkluzioni dhe se do të duhet kohë nëse do të arrihet deri tek një marrëveshje.
Por në qendër të vëmendjes tek Interi nuk është vetëm merkato në hyrje. Prej kohësh flitet se do të ketë një largim me emër gjatë kësaj vere. Fillimisht u fol për Bastonin, por asnjë skuadër nuk pranon të plotësojë kërkesat e Interit për 23-vjeçarin. Ndryshe duket situata për Milan Skriniar, që ka ‘tifozë’ të shumtë edhe jashtë kufinjve të Italisë. Marotta e pranoi se ka shumë klube që kanë shfaqur interes për qendërmbrojtësin e Interit dhe ai e konsideroi këtë diçka normale duke parë nivelin e shfaqur në fushën e lojës nga sllovaku. Tek Interi nuk kanë ndërmend të nxitojnë me largimin e mundshëm të Skriniar, edhe pse ajo që shqetëson drejtuesit është fakti që 27-vjeçarit i skadon kontrata në fund të sezonit të ardhshëm. Për këtë arsye, zikaltërit do të pranonin edhe një ulje të ndjeshme të çmimit, vetëm për të mos e humbur me parametra zero një lojtar të kalibrit të sllovakut.