Serie A, Inter, Lukaku mund të kthehet ndaj Barcelonës dhe të nxjerrë sulmin nga kriza

Sport

Romelu Lukaku mund të jetë gati për ndeshjen ndaj Barcelonës. Ky është lajmi më i rëndësishëm për Interin dhe trajnerin Simone Inzaghi, i cili mund të provojë t’i japë një zgjidhje mungesës së golave në repartin e sulmit, me prezencën e belgut. Sipas asaj që raportojnë mediat pranë zikaltërve, Lukaku prej disa ditësh vijon stërvitjen e personalizuar, por me intensitet të lartë me synimin për të qenë gati për trajnerin e tij për sfidën e kthimit ndaj Barcelonës. Takimi që do të luhet në ‘Camp Nou’ mund të ketë një peshë të madhe rreth çështjes së kualifikimit drejt 1/8-ave, prandaj prezenca e Lukakut do të ishte me shumë peshë për zikaltërit. 29-vjeçari ende nuk është në më të mirën e tij, por parametrat e siguruara nga përgatitësit fizik tek Interi përgjatë seancave të personalizuara, mund t’i japin dritën jeshile për rikthimin në fushën e blertë. Interi nuk është në momentin e vet më të mirë. Pavarësisht triumfit 1-0 ndaj Barçës në ‘San Siro’, Inzaghi mbetet i shqetësuar për mungesën e golave nga reparti i sulmit. Në 8 javët e para të kampionatit, skuadra nga Milano numëron 13 gola të pësuar, kundrejt 14 të shënuar. Një shifër shumë e ulët kjo kur mendon se Inzaghi kishte sulmin më të mirë të kampionatit në sezonin e shkuar, me 84 gola të realizuar. Javët e fundit kanë qenë të vështira për Lautaro Martinez apo Edin Dzeko, ndërkohë që nga Correa nuk mund të pritet shumë, duke qenë se nuk ka shumë minutazh në këmbët e tij. Edhe Lukaku nuk është si kishte një ritëm të çmendur deri përpara dëmtimit, pasi deri më tani llogarit vetëm një gol të shënuar, në sfidën hapëse të sezonit, ndaj Lecce-s, por belgu duket më i karikuar se kurrë për të bërë liderin e skuadrës, në një moment kur Interi mund të përmbysë situatën e ështirë dhe të kthehet pretendente në të gjitha frontet.