Serie A, Inter, Lukaku kërkon të mbetet zikaltër; sulmuesi refuzon ofertën nga Arabia

Sport

Romelu Lukaku nuk ia doli të ishte heroi i Interit në finalen e ‘Champions League’-ës ndaj Manchester City-t, por sulmuesi belg nuk ka ndërmend të heq dorë nga arritja e objektivave të tij me fanellën e klubit milanez. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Lukaku dëshiron të mbetet zikaltër dhe po shtyn përfaqësuesit e tij të gjejnë një marrëveshje që Interit, të blejë përfundimisht kartonin nga skuadra e Chelsea-t. Ky nuk është një mision i lehtë për zikaltërit, sidomos nëse klubi londinez në anën tjetër nuk do të bëjë një ulje të pretendimeve për 30-vjeçarin belg. Ndërkohë, për të konfirmuar dëshirën e tij për të qëndruar tek Interi, Lukaku raportohet se ka refuzuar edhe një propozim mjaft interesante nga Arabia Saudite. Skuadra e Al Hilal ka ofruar një kontratë 2-vjeçare për Lukakun, nga ku sulmuesi do të përfitonte rreth 25 milionë euro në sezon. Për më tepër, belgu do të kishte edhe shumë përfitime të tjera në formë bonusesh dhe mundësinë e rinovimit të njëanshëm të kontratës me Al Hilal. Por pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e tij e kanë kthyer mbrapsht propozimin e ardhur nga Arabia, duke i qëndruar dëshirës së klientit të tyre, për të vijuar karrierën në Europë, e më ekzaktësisht tek Interi, ku Lukaku mendon se ka ende për të dhënë. Palët e përfshira në këtë situatë janë duke biseduar për të gjetur një zgjidhje, me Chelsea-n që është gati të heqë dorë nga sulmuesi, nëse Interi do të dërgojë në Londër portierin Onana. Për momentin zikaltërit nuk janë dakord me një lëvizje të tillë, megjithatë, Lukaku e ka shprehur qartë dëshirën për të mbetur në Milano.