Lautaro Martinez është kthyer në liderin absolut të Interit, me argjentinasin që ka gjetur rrugën e rrjetës pesë herë në 3 ndeshjet e para të ‘Serie A’. Tani, sulmuesi duhet të udhëheqë skuadrën në takimin më të rëndësishëm të kësaj pjese të parë të sezonit, në derbin ndaj Milanit. 26-vjeçari është i paprekshëm në formacionin titullar të trajnerit Simone Inzaghi dhe në përballjen ndaj kuqezinjve, mund të jetë sërish vendimtar, pasi statistikat tregojnë se sa herë që Martinez shënon një gol në derbi, Interi ia del mbanë ta fitojë ndeshjen. Në total, në 14 ndeshje që sulmuesi argjentinas ka luajtur kundër Milanit, ka shënuar 8 gola e ka shërbyer 1 asist. Në historinë e klubit zikaltër, vetëm Giuseppe Meazza dhe Istvan Nyers kanë shënuar më shumë gola në derbi se sa Martinez, respektivisht 12 e 11 realizime. Për më tepër, në rast të një tjetër suksesi në sfidën e javës së katërt të këtij sezoni, Interi do të shënonte një rekord absolut në historinë e klubit, pasi do të regjistronte 5 fitore radhazi në të gjitha kompeticionet. Në dy raste që Interi ka kërkuar të kompetojë një rekord të tillë, është ndalur nga barazimet me Milanin, që më pas ka fituar ndeshjet pasardhëse. Kjo arritje do të kishte një peshë të rëndësishme për takimet historike mes klubeve, pasi në anën tjetër, Milani regjistron një ecuri prej 6 fitoresh radhazi kundër Interit nga 30 maji i 1946-ës, deri në 11 prillin e 1948-ës. Këtë herë, zikaltërit do të kërkojnë të mbështeten pikërisht tek Lautaro Martinez, për të siguruar një triumf që do të kishte shumë peshë në ecurinë e sezonit e që për më tepër, do të vendoste Interin për momentin si skuadra pretendente kryesore për titullin kampion. Në këtë pjesë, nuk duhet të harrohet fakti që dy skuadrat e Milanos kërkojnë të vendosin yllin e dytë në fanellën e tyre, prandaj përballje si derbi i 16 shtatorit mund të ketë një peshë edhe më domethënëse se sa duket.